LDK dënon ashpër vrasjen Salihut
Prishtinë, 3 tetor - Kryesia e Lidhjes Demokratike të Kosovës dënon ashpër krimin e tmerrshëm, vrasjen e drejtorit të Drejtorisë së Arsimit të Komunës së Prishtinës, Remzi Salihu.
Vrasja e sotme, në Prishtinë, e kryer në mes të ditës, në zyrën e punës dhe në orarin e punës, është një akt i tmershëm, i patolerueshëm dhe gjerësisht i dënueshëm.
Vrasja e z. Remzi Salihu, njeriut të urtë e punëtor, vrasja e njeriut që tërë jetën e tij ia kushtoi arsimimit të brezave të rinj, është një akt barbar, që prek jo vetëm famijen Salihu, por të gjithë punonjësit e arsimit, nxënësit dhe qytetarët e Prishtinës e më gjerë.
Lidhja Demokratike e Kosovës, në këtë ditë të rëndë, shpreh ngushëllimet më të thella për familjen e nderuar Salihu, për arsimtarët dhe nëxënësit e komunës së Prishtinës, për humbjen e njeriut të dashur dhe të prijësit shumëvjeçar të arsimit të Prishtinës.
Lidhja Demokratike e Kosovës kërkon nga organet e drejtësisë zbardhjen e menjëhershme të rastit dhe dënimin e kryrësit të kësaj vepre të tmerrshme.
Vetëm duke ndjekur dhe dënuar me vendosmëri kriminelët, qytetarët e Kosovës mund të kthejnë besimin se mund të jetojnë jetën e tyre dhe mund të punojnë edhe këtu ashtu si në çdo vend normal.