LDK bëhet gati për zgjedhjet lokale
Prishtinë, 14 qershor Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) njofton se sot mbajti takimin me kryetarët e degëve lidhur me zgjedhjet parlamentare të jashtëzakonshme.
\"LDK-ja falënderon të gjithë qytetarët që e kanë mbështetur LDK-në dhe koalicionin e udhëhequr nga LDK\", thuhet në një kumtesë të këtij subjekti politik.
LDK-ja falënderon strukturat e saj dhe të partnerëve të koalicionit për organizimin e një fushate model, të civilizuar dhe gjithëpërfshirëse.
\"LDK-ja falënderon partnerët e koalicionit për bashkëpunimin dhe për gadishmërinë e tyre për të qëndruar së bashku si koalicion në rrugëtimin më tutje\", thuhet më tej në kumtesë.
Aty thuhet se në ditët në vijim LDK-ja do të analizojë rezultatin e zgjedhjeve dhe do të marrë vendimet e nevojshme për tu përgatitur për zgjedhjet e ardhshme lokale.
\"LDK-ja respekton votën e qytetarëve dhe mbështetjen që ka marrë dhe është e palëkundur në qëndrimin që në asnjë variant nuk do të qeverisë me PDK-në. Degët e mbështesin kryetarin dhe Kryesinë e LDK-së të analizojë situatën dhe të marrë vendimet e nevojshme në interes të LDK-së dhe në përputhje me parimet e LDK-së si parti proevropiane, e qendrës së djathtë dhe anëtare e Partive Popullore Evropiane\", thuhet në kumtesë.