LDK akuzon komunën për bllokim të lejeve të ndërtimit
Prishtinë, 9 mars - Grupi i Këshilltarëve të LDK-së në Kuvendin Komunal të Prishtinës, ka reaguar ndaj deklaratës për opinion të Liburn Aliut, drejtor i Drejtorisë për Urbanizëm, Ndërtim dhe Mbrojtje të Mjedisit të Komunës së Prishtinës.
\"Drejtori i Drejtorisë për Urbanizëm, Ndërtim dhe Mbrojtje të Mjedisit në Komunën e Prishtinës, Liburn Aliut, më 5 mars 2014 deklaroi të pa vërteta dhe konstatime pa bazë ligjore lidhur me gjoja të gjeturat e tij në këtë drejtori. E gjithë kjo po bëhet me qëllim të fshehjes së dështimeve në 70 ditshin e qeverisjes së VV në Komunë\", thuhet ne reagimin komunes se Prishtines.
Informojmë opinionin se:
1. Arkiva ka qenë e organizuar në nivelin e zyrës pritëse përmes sporteve brenda drejtorisë, ku janë pranuar dhe dorëzuar lëndët nga arkivi qendror i komunës dhe njëkohësisht janë bartur në sektorët përkatës të drejtorisë. Lëndët e përpunuara janë evidentuar në arkivin e brendshëm në zyrën përkatëse ku ekzistojnë evidencat për ato dosje, ndërsa projektet kryesore me fazat përkatëse të tyre, si dokumentacion voluminoz, gjenden në hapësirat e kësaj drejtorie, të klasifikuara për urbanizëm dhe planifikim urban. Përveç arkivit, lëndët janë regjistruar edhe në intranet që është i lidhur me sistemin qeveritar.
2. Qasja në dokumente zyrtare u është siguruar secilit person që ka shprehur interes për dosjet nga viti 2008, ndërsa dosjet para këtij viti janë arkivuar në Arkivin e Qytetit të Prishtinës, dhe për këtë është informuar opinioni.
3. Është e pavërtetë se ka pasur vonesa në përgjigje palëve dhe se këto përgjigje nuk janë dhënë nga viti 2009. Leje nuk iu janë dhënë vetëm palëve të cilat nuk kanë prezantuar dokumentacionin teknik sipas kushteve të lokacionit, pëlqimit në lokacion, kushteve të ndërtimit apo kritereve të përcaktuara me plane rregulluese, çështje kjo e rregulluar me Ligjin për Planifikimin Hapësinor 2003/14 dhe 03-L-106, Ligjit për Ndërtim 2004/15 dhe 2012/04-L-110, si dhe udhëzimet administrative të nxjerra në bazë të këtyre ligjeve.
4. Drejtori Aliu po bënë shkelje ligjore me bllokimin e lëshimit të lejeve ndërtimore prej se ka ardhur në pushtet. Ligji e përcakton shumë qartë afatin brenda të cilit palëve duhet t?u jepet përgjigja për leje ndërtimore. Fakti se brenda dy muaj e gjysmë është lëshuar vetëm një leje ndërtimi, që në fakt nuk është leje por vetëm një vendim i ndërmjemë në procedurë, flet për shkelje të mëdha që po bën ky drejtor dhe drejtoria në lëshimin e lejeve ndërtimore. Shihet qartë se Drejtoria nuk po vendosë brenda afatit ligjor, parim ky i garantuar me Ligjin për Ndërtim, neni 1.28 dhe 21.3. Prandaj investitorët po dëmtohen nga këto dhe shkelje të Ligjit për Ndërtim. I udhëzojmë ata që të paraqesin kallëzimet penale sipas Kodit Penal të Kosovës, për zyrtarët përgjegjës ashtu si që edhe parashifet me nenin 36 të këtij ligji. Çështja e komunikimit me palë në procedurë është obligim ligjor, i paraparë me Ligjin e Procedurës Administrative, nr. 2005/02-L28 (neni 67 dhe 68).
5. Nuk qëndron konstatimi se lejet ndërtimore janë dhënë në kundërshtim me planet rregulluese sepse, lejet ndërtimore përpos kritereve të përcaktuara me plane rregulluese, lëshohen edhe në bazë të kushteve të lokacionit dhe pëlqimeve në lokacion procedurë kjo e rregulluar me Ligjin për Planifikim Hapësinor- pjesa për rregullimin e hapësirës, Udhëzimit administrative mbi kushtet e lokacionit , pëlqimit në lokacion dhe lejeve urbanistike, Ligjit për Ndërtim nr. 04/L-110.
6. Drejtori vërehet se nuk është në rrjedhë me sistemin koordinativ të planeve rregullues sepse, bazat gjeodezike nuk gjinden në Kosovë, ndërsa detyrat projektuese për hartimin e planeve janë hartuar sipas sistemit koordinativ ?Gaus Griger? pasi që sistemi koordinativ ?Kosova Refm? nuk ka ekzistuar, prandaj është e mundshme që gjatë konvertimit të sistemeve të mos ketë përputhje të plotë.
7. Drejtori Aliu, thotë të pavërteta të mëdha lidhur me hartimit të planeve zhvillimore urbanistike. Theksojmë se të gjitha planet urbanistike janë hartuar nga kompani profesionale vendore dhe ndërkombëtare, prej të cilave numri më i madh janë udhëhequr nga profesorë të Aliut. Janë organizuar punëtori me pjesëmarrje të të gjitha institucione shtetërore relevante, shoqërisë civile, shoqatave përkatëse të kësaj lëmie dhe zbatimit të plotë të procedurave ligjore për organizimin e shqyrtimit publik, evidentimit të propozimeve dhe ankesave të grupeve të interesit, si dhe shqyrtimit të tyre nga komisioni profesional, e gjithë kjo nën mbikëqyrjen e stafit profesional në kuadër të kësaj Drejtorie.
8. Ndërkaq, për Planin Zhvillimor Urban dhe Planin Zhvillimor Komunal janë hartuar projektet e vlerësimit strategjik-mjedisor si dhe në këto projekte është siguruar pëlqimi përkatës nga Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor. Për këto plane janë dhënë pëlqimet përkatëse nga aspekti i harmonizimit të tyre me ligjet në fuqi dhe me Planin Hapësinor të Kosovës .
9. Theksojmë se me Ligjin mbi Ndërtimet janë paraparë saktësisht përgjegjësitë e Drejtorisë, në krye të cilës është z. Aliu si dhe të Inspekcionit, që është drejtori e veçantë, prandaj procedurat e lëshimit të lejeve dhe të kontrollit të objekteve në terren janë të qarta për të evituar konfliktin e interesit.
Konstatojmë se bllokimi i lëshimit të lejeve të ndërtimit do të shprehet keq në industrinë ndërtimore të Prishtinës dhe në ekonominë e lidhur me ndërtimet, në punësim dhe në rritje ekonomike. Ky bllokim është në kundërshtim me Ligjin, kur dihet se është numër shumë i madh i qytetarëve dhe investitorëve të cilët kanë kërkuar leje ndërtimi dhe nuk kanë marrë përgjigje. Këtë përgjigje duhet ta jap z. Aliu para opinionit.