03 Maj 2024

LDK: akt i lart moral dorëheqja e Presidentit Sejdiu

Prishtinë, 27 shtator - Kryesia e Lidhjes Demokratike të Kosovës, në mbledhjen e mbajtur sot, më 27 shtator 2010, e çmon si akt të lart moral dorëheqjen e Presidentit Sejdiu nga pozita e Presidentit të Republikës së Kosovës.

Kryesia e LDK-së vlerëson se dorëheqja e Presidentit Sejdiu është një akt i sakrificës së tij për interesat madhore të Republikës së Kosovës dhe të qytetarëve të saj, përkrahjen e të cilëve ai e pati gjithmonë.

Kryesia e LDK-së vlerëson se Presidenti Sejdiu, gjatë kohës së udhëheqjes se vendit, ka punuar me urtësi, dije dhe përkushtim të jashtëzakonshëm.

Megjithëse Presidenti Sejdiu ka marrë vetëm një njoftim nga Gjykata Kushtetuese, dhe jo aktgjykimin e saj, siç do të duhej, ai ka dhënë dorëheqje duke dëshmuar edhe një herë dhe shumë fuqishëm devotshmërinë e tij të madhe për shtetin tonë dhe të ardhmen e tij euroatlantike. 

Presidenti Sejdiu e ka marrë udhëheqjen e vendit në një moment tepër të ndjeshëm, pas vdekjes së Presidentit historik të Kosovës, dr. Ibrahim Rugova.

Presidenti Sejdiu e ka vijuar politikën e urtë dhe largpamëse të Presidentit Rugova, duke u prirë me vizion proceseve të vështira politike në vend.

Presidenti Sejdiu i priu Ekipit Negociator në procesin ndërkombëtar të pavarësimit të Kosovës, gjatë negociatave të udhëhequra nga Presidenti Marti Ahtisari, duke e mbajtur të homogjenizuar qëndrimin e këtij ekipi dhe të të gjithë skenës institucionale e politike të vendit.

Presidenti Sejdiu e udhëhoqi vendin në procesin e njohjes së pavarësisë sonë nga shtetet demokratike anekënd globit. Gjatë udhëheqjes së tij, Republika e Kosovës gjeti vendin e vet në familjen e madhe të kombeve të lira, ndërsa pavarësia e Kosovës mori konfirmimin e saj të fuqishëm nga mendimi eksplicit i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë.

Kryesia e LDK-së e mirëpret dhe e mbështet fuqishëm riaktivizimin e dr. Fatmir Sejdiut në krye të partisë dhe shpreh bindjen se nën udhëheqjen e tij LDK-ja do të rikthehet si partia numër një në skenën politike të Kosovës.
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)