LDK, AAK dhe Nisma presin që Kuvendi të nisë punën javën tjetër
Prishtinë, 19 gusht - Jo më larg se javën e ardhshme, blloku LDK, AAK dhe Nisma shpreson se do të përmbyllet seanca e papërfunduar konstituive e Kuvendit që nga data 17 korrik.
Rrjedhimisht, ky bllok po pret që javën e ardhshme të konfirmohet zgjedhja e Isa Mustafës në postin e kryetarit të Kuvendit.
Këto pritje, lideri i LDK-së, Isa Mustafa, ai i AAK-së Ramush Haradinaj dhe ai i Nismas, Fatmir Limaj i kanë kumtuar pas takimit që zhvilluan të hënën në Kuvendin e Kosovës.
Në këtë takim, blloku i treshes ka diskutuar për seancën dëgjimore që do të mbahet sipas kërkesës së PDK-së në Gjykatën Kushtetuese më 21 gusht, në lidhje me postin e kryetarit të Kuvendit.
Liderët e partive të bllokut u janë përgjigjur edhe pretendimeve të zyrtarëve të PDK-së për formimin e një qeverie gjithëpërfshirëse.
Sipas liderëve të bllokut LDK, AAK dhe Nisma, Kosova do ta ketë një qeveri gjithëpërfshirëse, por pjesë e saj nuk do të jetë Partia Demokratike e Kosovës.
/Tribuna/