LDD shënoi gjashtë vjetorin e themelimit
Prishtinë, 16 shkurt - Lidhja Demokratike e Dardanisë, nesër, më 17 shkurt, mbush gjashtë vjet nga themelimi i saj. Meqenëse 17 shkurti është data kur është bërë edhe shpallja e pavarësisë së Kosovës, por një vit më vonë, LDD-ja e shënoi ditëlindjen e saj një ditë më herët.
Në manifestimin e mbajtur në Grand Hotel Prishtina në Prishtinë, ishin të pranishëm një numër i madh i përfaqësuesëve të LDD-së nga të gjitha degët e saja në Kosovë dhe mërgatë si dhe nga të gjitha strukturat, dhe musafir të ftuar.
Tubimi u hap me intonimin e tri himneve, të Kosovës, atij shqiptar dhe himnit dardan. Nënkryetarje e LDD-së, Besa Gaxheri, ishte ajo e cila e hapi këtë manifestim me një fjalë përshëndetëse.
Ajo falenderoi për pjesëmarrje sekretarin e përgjithshëm të LDK-së, z. Ismet Beqiri; deputetin e vetëm shqiptar në Parlamentin e Serbisë, z. Riza Halimi; z. Shaip Kamberi, kryetar i Partisë për Veprim Demokratik me seli në Preshevë; z. Galip Beqiri, kryetar i Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve në Luginë të Preshevës, etj.
Më pas fjalën e mori kryetari i LDD-së, akademik Nexhat Daci, i cili ndër tjera tha:Dardan të dashur, musafir të respektuar, është vështirë të mos jemi fytyrqeshur dhe ballëlartë të gjithë, sepse kremtojmë 6 vjetorin e lindjes së LDD-së, pra koha kur LDD dhe nipi im këtu në sallë nisën në shkollë.
Dy vite kanë qenë të mjaftueshme për LDD-në, edhepse ishim në pushim të dhunshëm që në dy përvjetorët e fundit të dalim me risi për elektoratin tonë, për simaptizantët tanë, por edhe për partitë mike dhe partnere që ne llogarisim ti kemi në të ardhmën.
Vitin e kaluar, në datëlindjen e pestë, pikërisht në këtë sallë unë thash se dardanët kanë arritur në këtë konkluzë se LDD nuk planifikon shkrirje as ngrirje, por LDD i fton të gjitha partitë mike të krijojnë unitet veprues për një Kosovë që në radhë të parë e donë shqiptarët dhe qytetarët tjerë të Republikës së Kosovës e në rend të dytë bashkësia ndërkombëtare.
Këtë vit LDD e ka shfrytëzuar kryesisht për përgatitjen programore të saj, për zgjedhjet e ardhshme dhe sot do të ketë më tepër një qasje të vizionit për të nesërmën dhe shumë më pak të gjendjës sot për të kaluaren dhe do të jetë e gatshme që të propozoj ndryshime të epërsive strategjike të Kosovës dhe LDD-së.
Të gjithë shqiptarëve në botë u uroj përvjetorin e lindjes së Republikës së Kosovës sepse të gjithë shqiptarët në globin tokësor kanë investuar shumë gjatë 100 viteve që ne sot të kemi atmosferë festive.
Në të njejtën kohë, më lejoni që të bëjmë një mendim tjetërfare. Me vet dëshirën tonë, të subjekteve politike që ishim në Parlamentin e Kosovës ne e pranuam dokumentin e Presidentit Ahtisari, me vetëdije të plotë që për popullin shqiptar në Kosovë ndryshuan prioritetet strategjike.
Në radhë të parë u vendos që e para të jetë bashkësia ndërkombëtare dhe e dyta Kosova dhe populli shqiptar, kjo për shkak të traditës dardane mijëravjeqare që miqët që na e dhanë edhe një gotë ujë në verë të thatë ti respektojmë përjetësisht.
Por dardan të dashur pos rezultateve të pamohueshme që arritën që Kosovës tia heqin barren e mbikëqyrjes së pavarësisë dhe ndonjë rezultati tjetër më të vogël, ky prioritet kur një popull ndër më të vjetër jo vetëm në Ballkan por edhe në Evropë heq dorë prej prioriteteve të veta dhe tani mendojmë se është koha që këtë vit, për shkak të sfidave që janë para nesh, të kemi guximin qytetar, të gjitha subjektet politike të jemi tok së bashku që Kosova mos ta pëson këto muajt e ardhshme dhe të mos ngjaj një njëllosje e integritetit të bredshëm dhe e sovranitetit të dinjitetshëm, prandaj LDD i propozon tërë popullit shqiptar në botë, tërë subjekteve politike shqiptare në parlament dhe jashtë parlamentit që, pas pushimeve verore ti ndryshojnë prioritetet që e para të jetë Kosova dhe e dyta të jetë bashkësia ndërkombëtare.
Përceptimet e botës akademike janë të këtilla, në orientimet e para strategjike ne i dhuruam popullit në Kosovë këto veti tonat. Kemi përkeqësim në autoritet ndërkombëtar të Kosovës dhe shqiptarëve në përgjithësi; rritje të pakënaqësive sociale dhe politike; rritje të papunësisë, rritje të varfërisë, zhgënjim të popullatës në arsim, shëndetësi, zhvillim dhe ekonomi. Resurset tona nacionale dhe lokale janë të atilla që ne na mundësojnë jetë të dinjitetshme. Nuk pretendojmë se për një dekade mund të jemi Britani e Madhe, Francë, Zvicër, por pretendojmë që atë që na e ka dhënë Perendia tua lëmë gjeneratave që vijnë pas neve, rinisë së sotme që të mund të krijojnë punësim brenda vendit të vet.
Përceptimi akademik dhe njerëzor është që, qeverisja në vend nuk ka arritur të krijoj vullnet politik që parametrat teknik për integrimin në Evropë ti kryej me kohë, por bashkësia ndërkombëtare në Evropë, me izolimin e Kosovës si pike të zezë të evropës, për moslejimin e qarkullimit të lirë të studentëve, të ekspertëve, të bizneseve, krijoi një mjedis se rinia jonë përseri tia mësyj kufinjëve dhe të marr pasaporta të miqve dhe armiqëve dhe në këtë mënyrë korpusi shqiptar po zbrazet.
Në 13 vite bashkëjetesë me bashkësinë ndërkombëtare është e turpshme, pas shpenzimit të miliardave dollarëve për ndihmë Kosovës dhe rinia jonë të jetë e karantinizuar. Kjo nuk është e justifikueshme.
Miq të pranishëm, a ka më të dhimbshme se krejt bashkësia ndërkombëtare me të drejt e besoj e mbron edhe një trashëgimi të diskutueshme sllavo-ortodokse dhe fare të mos shqetësohet për atë qka ndodh në Luginën e Preshevës dhe na qon selame se ajo çka ndodh atje është çështje e brendshme e Serbisë, ndërsa veriu i Mitrovicës qenka çështje e shqiptarëve dhe e krejt botës. Kjo nuk është humane, prandaj e ftoj korpusin shqiptar në Kosovë që në asnjë mënyrë në këtë drejtim të mos ketë lëshime.
Atë që Kosova vullnetshëm u jep qytetarëve të saj serbë është obligative që Beogradi tua jap shqiptarëve në Luginë, që janë autokton dhe që janë mburoja kryesore e moszbrazjes së Kosovës.
I ftoj partitë politike ta tejkalojnë vetvetën dhe të krijojnë unitet dhe qeverisjen që ta len krekosjen se është më e mira në dynja por të luftohet me unitet të plotë në ruajtje të sovranitetit të dinjitetshëm dhe integritetit kushtetues të Kosovës dhe reciprocitet të plotë në të gjitha aspektet.
Falenderoj të gjithë kryetarët e degëve dhe anëtarësinë e LDD-së, që në kushte të përjashtimit të saj nga jeta publike edhe më tepër të mundohemi që në zgjedhjet e ardhshme, shpresoj fer dhe demokratike, dhe i ftoj krerët e partive më të mëdha politike që të kryejnë reformën zgjedhore dhe në kohë ti nënshtrohemi proceseve për të mirën e gjithmbarshme. Ju falemnderit. tha në fund të fjalës së tij lideri dardan, akademik Nexhat Daci.
Më pas nga një fjalë përshëndetëse para të pranishmëve e paraqitën sekretari i përgjithshëm i LDK-së, z. Ismet Beqiri, si dhe deputeti i vetëm shqiptar nga Lugina e Preshevës, në Parlamentin e Serbisë, z. Riza Halimi.
Më tutje sekretar i përgjithshëm i LDD-së, Hajrush Bajraliu, në mesin e shumë telegrameve përshëndetëse që kishin arritur, lexoi atë të kryetarës së degës së LDD-së, në Zvicër, znj. Zize Pepshi.
Në fund Kryetari Daci në mënyrë simbolike u shpërndau libreza të anëtarësisë një numri të kufizuar të të rinjëve, pasiqë u tha se kjo gjë do të bëhet në një rast tjetër të veçant.