LDD: Presidenti Sejdiu shkelësi më i madh i Kushtetutës
Prishtinë, 12 korrik - Grupi Parlamentar i Lidhjes Demokratike të Dardanisë nuk mori sot pjesë në seancën e Kuvendit, kur kryetari i Kosovës i drejtua Kuvendit, pasi që si Grup Parlamentar por edhe si parti nuk dëshirojmë të jemi pjesë e përligjësimit të mosfunksionimit të rolit kushtetues te kryetarit të Kosovës, duke vlerësuar se kryetari është shkelësi më i madh i Kushtetutës.
LDD konsideron se me mospërmbushjen e rolit të tij kushtetues, Kryetari Sejdiu nuk demonstroi rolin unifikues, që buron nga përfaqësimi i unitetin të popullit të Kosovës. Ai asnjëherë nuk ka ftuar në ndonjë takim konsultativ ose pune liderët e partive opozitare për çështjet që kanë të bëjnë me interesat shtetërore te vendit.
Si garantues i funksionimit kushtetues të institucioneve demokratike të vendit, Kryetari Sejdiu nuk u brengos për mosfunksionimin e shtyllave kryesore te shtetësisë se vendit siç janë drejtësia, siguria, AKI etj.
LDD vlerëson se qëndrimet e Kryetarit Sejdiu nuk ishin dhe nuk janë në funksion të kushtetutës dhe kushtetutshmërisë, kur kemi të bëjmë me cenimin e sovranitetit të vendit, mungesën e vullnetit për të luftuar krimin e organizuar dhe korrupsionit si dhe për ngecjet serioze në procesin e lobimit për shtim te njohjeve ndërkombëtare.
GP I LDD-së nuk mori sot pjese ne séancë, se Kryetari i vendit vazhdon të jetë shkelës më i madh i Kushtetutës, duke mbajtur pozitë partiake. Ai madje, ushtron presion edhe ndaj nismave për interpretim e kushtetutshmërisë së kryerjes së dy funksioneve në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës.