LDD pranon rezultatet preliminare
Prishtinë, 14 dhjetor - Lidhja Demokratike e Dardanisë është deklaruar se i pranon rezultatet preliminare të zgjedhjeve, sipas të cilave ky subjekt politik nuk e kalon pragun prej 5 për qind për tu futur në Parlamentin e Kosovës.
Nënkryetari i LDD-së, Naser Rugova tha se ky subjekt politik i pranon rezultatet preliminare të dala nga KQZ dhe do të fillojnë me analiza se çka e ka sjell partinë në këtë gjendje.
Një nga arsyet e dështimit për të siguruar ulëse në Parlamentin e Kosovës, Rugova përmendi edhe mungesën e buxhetit për një fushatë më të mirë si dhe konsideroi se elektorati i LDD-së kësaj radhe kishte abstenuar.
Për dallim nga zgjedhjet e sivjetme të cilat e lënë LDD-në jashtë Parlamentit, në zgjedhjet e kaluara parlamentare ky subjekt politik pati siguruar 12 ulëse në Parlament.
LDD konsideron se situata e krijuar pas zgjedhjeve të 12 Dhjetorit është situatë jostabile si për shkak të parregullsive ashtu edhe për shkak të raportit të ri të forcave.
\"Institucionet e dala nga këto zgjedhje do të kenë legjitimet të cunguar dhe kjo situatë domosdo do të imponojë zgjedhje të reja brenda një periudhe të shkurtër.\"