LDD e gatshme për zgjedhjet nacionale
Prishtinë, 26 prill - Kryesia e Lidhjes Demokratike të Dardanisë, nën udhëheqjen e kryetarit akademik Nexhat Daci, ka mbajtur mbledhjen e rregullt të saj.
Në fillim të takimit kryetari Daci ka njoftuar shkurtimisht për aktualitetin politik në Kosovë. Pikë kryesore e rendit të ditës ishte përgatitjet për zgjedhjet e ardhshme parlamentare në Kosovë.
Kryesia e LDD-së, pas diskutimeve të të gjithë anëtarëve të kryesisë të pranishëm në mbledhje, ka vendosur, unanimisht rreth numrit të kandidatëve për deputet që LDD duhet propozuar në listën e përbashkët të koalicionit AAK-LDD si dhe rreth kritereve që ata kandidat duhet plotësur për tu propozuar.
Kryetari Daci dhe kryesia e LDD-së, kanë kërkuar nga degët që propozimet e tyre të sillen në selinë e partisë gjatë javës tjetër.
Kryetari Daci, gjithashtu ka vlerësuar shumë lartë vizitat dhe mbledhjet e kryesisë së LDD-së në degët e Mitrovicës dhe Gjilanit dhe organizimin e degëve përkatëse.