LB: Vendet e rezervuara nuk sigurojnë integrim të serbëve
Prishtinë, 5 shkurt - Lëvizja për Bashkim (LB) konsideron se në qëllimin e saj për reformë zgjedhore, Kosova vazhdon të mbetet e përfshirë nga ngërçi i shkaktuar nga kushtëzimi i pakicës serbe për vazhdimin e vendeve të rezervuara në Kuvendin e Kosovës.
Nevoja kryesore e këtij vazhdimi, sipas tyre, ka të bëjë me krijimin e kushteve për integrimin e serbëve në institucionet e Kosovës.
Lëvizja për Bashkim, në radhë të parë konsideron se problemi më i madh rreth kësaj çështjeje nuk qëndron tek vazhdimi apo jo i këtyre vendeve në Kuvendin e Kosovës, por te fuqia e jashtëzakonshme kushtetuese e pakicave në këtë institucion, fuqi e cila e bën jofunksional shtetin e Kosovës, si dhe e bllokon realizimin e vullnetit të shumicës së qytetarëve të Kosovës.
Argumenti më i vonshëm për këtë është vetë situata e fundit, ku pa 2/3 e pakicave nuk mund të bëhen ndryshime kushtetuese as edhe për çështje zgjedhore.
Ndërsa sa i përket rolit të vazhdimit të vendeve të rezervuara në integrimin e serbëve në institucione, ne konsiderojmë se ky është një arsyetim i paqëndrueshëm.
Mosintegrimi i derisotëm i serbëve nuk është për shkak të mungesës së vullnetit integrues të institucioneve të vendit dhe kushteve për një integrim të tillë, por për shkak se integrimi i plotë, sidomos në pjesën veriore të Kosovës, nuk është qëllim i politikës së shtetit serb, e rrjedhimisht as i atyre serbëve në Kosovë që e pasojnë atë. Qëllimi i tyre është bërja dhe paraqitja e shtetit të Kosovës sa më jofunksional, prandaj integrimi është në kundërshtim me qëllimin e tyre.
Përfundimisht, Lëvizja për Bashkim konsideron se vazhdimi i vendeve të rezervuara do të thoshte vazhdim i padrejtësisë në kurriz të shumicës, përkatësisht dhunim i demokracisë në vend. Integrimi i serbëve në institucionet e Kosovës nuk është i varur nga vendimi për vendet e rezervuara, por drejtpërsëdrejti nga zgjidhja e çështjes shqiptaro-serbe, e cila, fatkeqësisht, tani për tani ndodhet në një rrugë pa krye.