LB: Shqiptarët në Maqedoni të kërkojnë ndryshime kushtetuese
Gjithashtu, përmes këtij dokumenti, shtrohet rruga edhe për krijimin e Tryezës së Partive Politike Parlamentare Shqiptare në Maqedoni që do të mbikëqyr realizimin e këtyre kërkesave si dhe do të trajtojë çështje të tjera.
Lëvizja për Bashkim uron përfaqësuesit e partive politike shqiptare për këtë hap dhe konsideron se është e domosdoshme që përfundimisht shqiptarët të fillojnë të flasin me një zë e të mos shndërrohen në patericë të qeverisjeve të partive politike maqedonase.
LB konsideron se gjithashtu, është shumë e rëndësishme që ky unitet të mos jetë vetëm një episod formal për të tejkaluar presionin e opinionit publik shqiptar, por të përbëjë bazamentin e një mendësie të re të politikëbërjes në funksion të realizimit të të drejtave të shqiptarëve.
Megjithatë, Lëvizja për Bashkim dëshiron të tërheqë vëmendjen e palës shqiptare në Maqedoni që të jetë shumë e kujdesshme në mënyrën e artikulimit të kërkesës për njohjen e shqiptarëve si popull shtetformues.
"As Marrëveshja e Ohrit, as Kushtetuta e Maqedonisë nuk ia njohin popullit shqiptar në Maqedoni këtë të drejtë."
"Prandaj, në fokus të kërkesave të partive shqiptare do të duhej të jenë pikërisht ndryshimet kushtetuese përmes të cilave shqiptarët do njiheshin si popull shtetformues në Maqedoni."
"Ne qëndrojmë të bindur se me një koordinim politik ndërshqiptar dhe me një veprim të vendosur politik të partive shqiptare në Maqedoni, realizimi i këtij qëllimi është krejtësisht i mundur", thekson LB.