LB propozon katër shtylla bazë të platformës për bisedime
Prishtinë, 10 tetor - Në konferencën e sotme për media, Lëvizja për Bashkim shpalosi propozimin e saj prej katër shtyllash bazë mbi të cilat do të duhej të ndërtohej platforma politike për bisedimet midis Republikës së Kosovës dhe asaj të Serbisë.
Fillimisht, Kryetari i LB-së, Avni Klinaku, u shpreh se Lëvizja për Bashkim e konsideron të domosdoshëm hartimin e Platformës Politike për bisedimet Kosovë-Serbi.
Prandaj, në këtë funksion, i ftoi partitë politike në Kosovë që bashkë me partitë politike të Kosovës Lindore, urgjentisht ta fillojnë punën e përbashkët për hartimin e kësaj Platforme.
Ai tha se Lëvizja për Bashkim konsideron se kjo Platformë Politike duhet të ndërtohet mbi këto katër shtylla:
1. Bisedimet duhet të jenë politike dhe ato duhet të zhvillohen në mes të dy shteteve;
2. Pavarësia e Kosovës është e panegociueshme;
3. Bisedimet duhet të zhvillohen për çështjet e pazgjidhura në mes të Kosovës dhe Serbisë dhe zgjidhjet duhet të bëhen mbi bazën e reciprocitetit: të gjitha të drejtat që do të mund ti përfitonin tri komunat veriore të Kosovës Leposaviq, Zveçan e Zubin Potok, duhet ti gëzojnë edhe tri Komunat e Kosovës Lindore Preshevë, Bujanoc e Medvegjë;
4. Pjesa veriore e qytetit të Mitrovicës dhe fshatrat shqiptare përreth saj nuk mund të jenë temë e bisedimeve. Atje është kryer spastrimi etnik i shqiptarëve dhe ata duhet të kthehen në pronat e veta.
Gjithashtu, në këtë konferencë u prezantuan edhe disa nga personalitetet e njohura në vend që kohëve të fundit iu bashkëngjitën projektit të Lëvizjes për Bashkim si:
Mentor Kaçi, ish i burgosur politik me grupin e intelektualëve ku ishin edhe Ukshin Hoti, Halil Alidemaj e Ekrem Kryeziu. Z. Kaçi më vonë ishte edhe Kryetar i Frontit të Rezistencës.
Nazim Jashari, ish deputeti, ndër më aktivët, i legjislaturës së Kuvendit të Kosovës 2004-2007 në kuadër të partisë qytetare ORA.
Fisnik Halimi, ish Sekretar Organizativ i partisë ORA.
Dr. Ejup Pllana, Kushtrim Sheremeti, aktor i njohur shqiptar. Pastaj, Kosovare Sopi, Mirvete Bajrami etj.