12 Mars 2025

LB procedon në Kuvend ligjin kundër ndotjes

Prishtinë, 1 gusht - Sot, në konferencën për media të mbajtur nga deputetët e Lëvizjes për Bashkim, Agim Kuleta e Aurora Bakalli, u njoftua për procedimin nga ana e tyre në Kuvendin e Kosovës të projektligjit për zonën e rrezikuar mjedisore të Obiliqit dhe rreth tij.

Në prezantimin e tij, deputeti Kuleta tha se Komuna e Obiliqit dhe zona përreth përbëjnë një rast krejtësisht të veçantë nga komunat tjera dhe atë për disa arsye: përbën zonën më të ndotur në tërë territorin e vendit, përbën burimin e rreth 98% të energjisë elektrike për tërë vendin, dhe pasuria nëntokësore që shfrytëzohet për prodhimin e kësaj energjie ndodhet në territorin e kësaj komune. 

Më tutje, ai shtoi se duke qenë se sa i përket dëmeve që i pëson nga eksploatimi që i bëhet dhe rëndësisë së saj strategjike për vendin, kjo komunë, në realitet përbën zonë me status të veçantë.

Përmes këtij ligji sipas z. Kuleta kjo zonë do të trajtohej e tillë edhe ligjërisht dhe në këtë mënyrë do të krijohej baza juridike që banorët e saj, përveç tjerash, t’i gëzonin disa të mira të domosdoshme për ta në formë të kompensimit për dëmin që u shkaktohet.

Përveç kësaj, miratimi i këtij ligji do të kompletojë edhe më tej kornizën ligjore të kësaj fushe dhe do t’i forcojë edhe më tutje institucionet kompetente në funksion të përmbushjes së objektivave mjedisore të përcaktuara në bazë të standardeve të parapara në direktivat e Bashkimit Evropian.

Duke pasur parasysh këtë situatë, ne kemi konsideruar se miratimi i një ligji i cili do ta rregullonte ekskluzivisht këtë çështje është i domosdoshëm.

Në anën tjetër, deputetja Bakalli, njëherit edhe mjeke me profesion, para gazetarëve paraqiti ndikimin e ndotësve të  termocentraleve dhe minierave të thëngjillit në shëndetin e banorëve të kësaj zone dhe degradimin e ambientit.

Ajo paraqiti analizat e shoqatave relevante ndërkombëtare lidhur me sëmundjet e ndryshme që mund të shkaktohen nga ndotja në këtë regjion, ku u përmendën sëmundjet e traktit respirator, sistemit kardiovaskular, sistemit nervor, mundësia për vdekje të hershme dhe defekteve të lindura te foshnjat.

Bakalli tha se ndikimi i këtyre ndotësve është afatgjatë pasi që ata akumulohen dhe deponohen në tokë e objekte.

Në aspektin mjedisor, ndotësit ndikojnë në ndërrimin e pH-së rrjedhimisht edhe të florës, faunës dhe mikroorganizmave që e popullojnë atë rajon.

Ndotja e lumenjve dhe përroskave mund të shkaktojnë dëmtim edhe të kulturave bujqësore, pyjeve dhe në këtë mënyrë edhe njerëzve.

Njerëzit që jetojnë më së afërmi burimit të ndotjes historikisht dhe gjithkund e kanë mbajtur barrën e rëndë të këtyre ndotësve të rrezikshëm.

Nga gjithë kjo që u tha ka rrjedhë nevoja për të nxjerrë një ligj për këtë zonë në mënyrë që t’i vihemi në mbrojtje popullatës së kësaj ane.

Masat që parashihen në këtë projektligj janë të natyrës mjedisore, shëndetësore, ekonomiko-sociale, sportive dhe kulturore.


 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)