17 Janar 2025

LB: PDK dhe VV nuk dallojnë për keqpërdorimin e parasë publike

Prishtinë, 15 gusht - Në mbledhjen e fundit të KQZ-së, përfaqësuesi i PDK-së e akuzoi Lëvizjen Vetëvendosje! që së bashku me iniciativën tjetër qytetare, JSL-në e Rada Trajkoviqit, po e shfrytëzojnë në mënyrë të paligjshme Fondin për mbështetjen e subjekteve politike.

Lëvizja për Bashkim (LB), ka thënë se duke qenë edhe e dëmtuar drejtpërdrejt nga këto keqpërdorime, shkeljen e tillë ligjore e ka denoncuar shumë kohë më parë edhe publikisht përmes mediave, edhe juridikisht përmes ankesës në KQZ dhe ngritjes së padisë, përkatësisht kallëzimit penal në institucionet kompetente.

Megjithëkëtë, shkelja sipas LB-së ka vazhduar, madje, me përkrahjen edhe të vetë përfaqësuesit të PDK-së në KQZ, z. Betim Gjoshi.

\"Ne konsiderojmë se është fakt i pakontestueshëm që ndarja e mjeteve për Lëvizjen Vetëvendosje! dhe JSL-në, të cilat nuk janë regjistruar, por vetëm janë certifikuar si iniciativa qytetare, përbën shkelje të rëndë ligjore\".

\"Konsiderojmë se është fakt i pakontestueshëm që shkelës të ligjit në këtë rast janë të gjitha palët që kanë pasur mundësi e nuk e kanë penguar këtë shkelje, duke përfshirë Lëvizjen Vetëvendosje! dhe JSL-në, si përfituese në mënyrë të paligjshme të fondit, si dhe KQZ-në dhe vetë përfaqësuesin e PDK-së, si pjesë e këtij institucioni, të cilët megjithëse kanë qenë të njoftuar me kohë për shkeljen, kanë refuzuar ta trajtojnë atë si të tillë\", thekson LB në komunikatë.

Prandaj, sjellja e përfaqësuesit të PDK-së sipas LB-së tregon qartë se motivi i denoncimit të këtij rasti nuk është evitimi i shkeljes së ligjit, por përfitimet në aspektin elektoral apo aspekte të tjera subjektive.

Gjithashtu, LB konsideron se loja e deritashme e “qengjit të butë” nga Lëvizja Vetëvendosje! ndaj KQZ-së dhe shndërrimi në ujk tani kur pjesën dërrmuese të mjeteve i ka përvetësuar, është edhe një fakt se VV nuk është një organizatë e ndershme, siç përpiqet të paraqitet në opinion, por është një organizatë politike si shumë të tjera të cilat ajo vetë i akuzon, organizatë që për të arritur në pushtet nuk zgjedh mjete.

Lëvizja për Bashkim e fton KQZ-në që të ndërpresë sa më parë keqpërdorimin e parasë publike dhe të sillet në përputhje me ligjin; e fton Lëvizjen Vetëvendosje! dhe JSL-në që ta ndërpresin praktikën e përfitimit të paligjshëm nga buxheti i Kosovës; dhe i fton institucionet e drejtësisë që të veprojnë me më efikasitet në lidhje me këto shkelje të denoncuara, në mënyrë që të mos vazhdojë të dëmtohet buxheti i shtetit dhe drejtësia në vend.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)