LB: Mospastrimi i listës zgjedhore - mundësi manipulimi
Prishtinë, 14 shkurt - Lëvizja për Bashkim (LB) konsideron se çështja e reformës zgjedhore në Republikën e Kosovës është shndërruar në një fenomen maratonik i cili dëshmon më së miri mungesën e vullnetit për ta bërë atë.
Jo rastësisht, kjo sipas LB-së është ngatërruar shumë herë me çështjen e vendeve të rezervuara për pakicat në Kuvendin e Kosovës.
Megjithatë LB vlerëson se pavarësisht cilësisë që do të mund të sillnin ndryshimet në ligjin për zgjedhjet, ato nuk do të mund të garantojnë zgjedhje të drejta dhe reflektim të vullnetit real të qytetarëve.
Lëvizja për Bashkim pajtohet me faktin se në ligjin zgjedhor ka nevojë për ndryshime, por për ndryshime të cilat do të siguronin një përfaqësim më real të vullnetit të qytetarëve.
\"Megjithatë, konsiderojmë se çështja më e rëndësishme është ajo që ka të bëjë me pastrimin e listave të votuesve. Është pikërisht ky defekt i cili ka ndikuar në shtrembërimin e vullnetit të qytetarëve në zgjedhjet e fundit parlamentare dhe fatkeqësisht është defekti për të cilin më së paku po flitet kur është në pyetje përgatitja e zgjedhjeve\", thekson LB.
Lëvizja për Bashkim, çështjen e listës së votuesve e konsideron si një çështje krejtësisht të veçantë nga reforma zgjedhore. Kjo është një detyrë që duhet të kryhet në vazhdimësi për shkak të ndryshimeve të vazhdueshme demografike në një shoqëri, pavarësisht a ka nevojë për reformë zgjedhore apo jo.
Prandaj, LB kërkojn edhe nga subjektet tjera politike që çështjen e pastrimit të këtyre listave ta trajtojnë me seriozitet më të lartë dhe që, nëse dëshirojmë zgjedhje cilësore, ky të jetë kusht i pakalueshëm për mbajtjen e zgjedhjeve të ardhshme, pavarësisht nga fati i reformës zgjedhore.