LB letër Presidentes, shfaq shqetësimet për protestën
Prishtinë, 13 janar - Lëvizja për Bashkim (LB) i ka drejtuar sot një letër Presidentes së Ksovës, Atifete Jahjaga, me të cilën i shfaq shqetësimet për pasojat nga paralajmërimi i Vetëvendosjes për bllokimin e pikëkalimeve kufitare me Serbinë.
Aktualisht, vendi ynë sipas LB-së është duke kaluar momente të rënda politike dhe i njëjti zhvillim pritet të ndodhë edhe në ditët në vazhdim, thuhet në fillim të letrës, e cila vazhdon:
Aksioni i thirrur nga Lëvizja Vetëvendosje më 14 janar për bllokimin e mallrave serbe dhe forma e reagimit nga Qeveria e Kosovës lidhur me këtë ndërmarrje kanë ndikuar në tensionimin e situatës dhe polarizimin e madh midis subjekteve politike, respektivisht përkrahësve të tyre.
\"Detyra Juaj, si Presidente e Republikës, është përshkruar qartazi në nenin 83 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës në të cilin thuhet: Presidenti është kreu i shtetit dhe përfaqëson unitetin e popullit të Republikës së Kosovës.
\"Prandaj, Lëvizja për Bashkim ju fton Ju që ta kryeni detyrën Tuaj kushtetuese përballë situatës dhe ti ftoni të gjitha forcat politike te vendit në një takim urgjent ku do të analizohej situata e krijuar dhe do të shqyrtoheshin mundësitë për tejkalimin e saj.\"
\"Përndryshe, Ju, me heshtjen Tuaj, duke mos i respektuar detyrat kushtetuese, do të bëheni bashkëpërgjegjëse e ngjarjeve që do të ndodhin në ditët në vijim\", thuhet në letrën e LB-së.