LB: KQZ vazhdon me shkelje
Prishtinë, 9 gusht - Sot, në selinë e Lëvizjes për Bashkim në Prishtinë u mbajt një konferencë për media lidhur me jotransparencën, devijimet dhe padrejtësitë e vazhdueshme të Komisionit Qendror Zgjedhor në raport me procesin zgjedhor dhe Lëvizjen për Bashkim.
Kushtrim Sheremeti anëtar i Kryesisë së LB-së, konstatoi se pas nominimeve të përfaqësuesve nga ana e LB-së në Komisionet Komunale Zgjedhore (KKZ), KQZ-ja, përkundër insistimit tonë, nuk na ka njoftuar zyrtarisht për pranimin ose jo të tyre dhe as për arsyet dhe vendimet e tyre lidhur me pranimet ose jo të përfaqësuesve të LB-së nëpër këto komisione, duke bërë shkelje të ligjit për zgjedhjet në Kosovë.
Gjithashtu, fakte për keqpërdorime tendencioze janë edhe bllokimi i faqes zyrtare të KQZ-së në internet, ku është dashur të bëhet shpallja e anëtarëve të KKZ-ve, në mënyrë që të gjitha këto manipulime dhe shkelje ligjore të mbulohen karshi publikut.
Këtë praktikë KQZ-ja dhe udhëheqësja e këtij institucioni, Valdete Daka, e kanë ndjekur edhe së fundmi, kur zyrtari i KQZ-së dha dorëheqje pikërisht për shkak të presioneve të saj për të bllokuar në faqen e internetit të këtij institucioni informacionet lidhur me votuesit jashtë Kosovës.
Në fund, Sheremeti i bëri thirrje Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, që në afat sa më të shpejtë, ti emërojë nëpër KKZ të nominuarit e LB-së, konform ligjit në fuqi.
Në anën tjetër, anëtari tjetër i Kryesisë, Dren Shahini tha se këto dëme janë vazhdimësi e dëmeve që KQZ i bën në raport me subjektin tonë politik, filluar këtu nga mohimi i të drejtës ligjore për financim nga fondi për financimin e subjektet politike i cili administrohet nga ky institucion.
Ai foli edhe për dy proceset ligjore që Lëvizja për Bashkim ka ngritur kundrejt KQZ-së, atë të padisë në Gjykatën Themelore të Prishtinës, për shkelje të Ligjit mbi Financimin e Subjekteve Politike, dhe kallëzimin penal në Prokurorinë e Shtetit!
Në vazhdim, Dren Shahini tha se deklarata publike e përfaqësuesit të PDK në mbledhjen e fundit të KQZ, se dy Iniciativat Qytetare, Lista e Bashkuar Serbe e Rada Trajkoviq dhe Lëvizja Vetëvendosje e Albin Kurtit, e njohin këtë institucion dhe shtetin e Kosovës vetëm atëherë kur përfitojnë mjete financiare , por jo edhe herëve tjera, do të përdoret si një ndër provat e shumta ligjore kundrejt KQZ, në gjykatë!