17 Janar 2025

LaRocrue: Procesi i bisedimeve në dobi të të dyja vendeve

Prishtinë, 19 qershor - Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, dr. Jakup Krasniqi, kishte sot një takim me ambasadoren e Kanadasë në Zagreb, jo rezidente për Kosovën, znj. Louse LaRocrue.

Pasi u falënderua për pritjen, ambasadorja Louse LaRocrue, i bëri një vështrim proceseve aktuale nëpër të cilat po kalon Kosova, duke theksuar se këto janë momente historike.

Procesi i bisedimeve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, tha ajo, është në dobi të të dyja vendeve dhe është mirë kur ngjarjet vlerësohen nga prizmi i së ardhmes, pra kujtohet e kaluara,  por ajo  nuk paraqitet si pengesë për të ecur përpara.

\"Kjo është rruga më e mirë drejt së  ardhmes, ajo reflektohet pozitivisht në Rajon dhe më gjerë në Evropë\", tha ambasadorja Louse LaRocrue.

\"Kanadaja do t’ ju mbështesë në proceset e gjithmbarshme edhe në aspektin e bashkëpunimit me institucionet  ndërkombëtare nga lëmi financiar, siç është Banka Botërore etj\", theksoi ajo.

Në vijim ambasadorja foli  edhe për interesimin e një kompanie kanadeze për të investuar në minierat në  Kosovë.

Në këtë frymë ajo propozoi që të zhvillohet një takim kanadezo-kosovar për këtë çështje.

Duke vlerësuar mbështetjen e Kanadasë në rrugën që bën Kosova, kryekuvendari Krasniqi theksoi se ekziston gatishmëri e vullnet që këto marrëdhënie të forcohen edhe më.

Ndërkaq, duke folur rreth bisedimeve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, ai tha se është pritur një ndikim më i madh  i Brukselit në këtë proces.

”Jemi për atë që të ndryshojmë për të mirë raportet me Serbinë, në dobi të të dyja shteteve. Na nevojiten korniza të reja në rrethana të reja. Shpresoj që ky hap do të jetë pozitiv. Mirëpo, nga përvoja dihet se Serbia  nuk iu përmbahet marrëveshjeve të arritura,  si ndodhi edhe në bisedimet e Vjenës.\"

\"Bisedimet aktuale janë nismë e mirë, sidomos në aspektin që Serbia të mos bëhet pengesë në integrimet e Kosovës në organizmat evropianë e ndërkombëtarë.\"

\"Angazhohemi gjithnjë për paqe në Ballkan, për një Ballkan më të demokratizuar”, theksoi kreu i legjislativit të vendit, Krasniqi.

Ndërkaq, duke folur për sfidat e Kosovës, Krasniqi përmendi sidomos nevojën e ngritjes së sundimit të rendit dhe të ligjit, si dhe zvogëlimin e papunësisë.
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)