Largohen nga Dega e PDK-së në Malishevë
Malishevë, 20 gusht - Disa anëtarë të Kryesisë së Degës së PDK-së në Malishevë janë larguar nga kjo parti dhe kanë formuar Iniciativën Qytetare për Malishevën.
Në mesin e anëtarëve të Kryesisë së Degës së PDK-së në këtë komunë, është larguar edhe kryesuesi i Asamblesë së Malishevës, Ragib Begaj dhe drejtori i Drejtorisë për Buxhet dhe Financa, Vesel Krasniqi.
Pas shumë takimeve dhe konsultimeve me intelektualët, veprimtarët, veteranët, rininë dhe qytetarët e Malishevës, kemi marrë vendim që të formojmë Iniciativën Qytetare për Malishevën. Ky vendim buron nga pakënaqësitë e qytetarëve në partitë politike dhe nga koncepti i tyre, që është largimi i qytetarëve nga vendimmarrja dhe mosfunksionimi demokratik i tyre, është thënë në një njoftimin për media nga kjo iniciativë.
Po ashtu, në këtë njoftim është thënë se pakënaqësia dhe zhgënjimi janë të skajshme në qeverisjen lokale.
Qytetarët po trajtohen si objekt i administratës dhe të grupit qeverisës në Malishevë, është thënë në këtë njoftim. Kjo iniciativë, thuhet në këtë njoftim është formuar për të penguar dhe ndaluar këtë praktikë.
Kjo iniciativë është formuar për të penguar dhe ndaluar të gjitha këto zhvillime negative, për të kthyer dinjitetin e qytetarëve dhe të Malishevës, dinjitet i cili ka kohë që po nëpërkëmbet nga udhëheqësit e partive politike dhe grupe joformale, të cilat janë futur nën petkun e subjekteve politike aktuale e të cilët janë të painteresuar dhe të paaftë për të drejtuar dhe udhëhequr më tej vetë subjektet e tyre e aq më pak Komunën e Malishevës, e ku qëllimi i tyre i vetëm dhe përfundimtar është akomodimi dhe përfitimi i grupeve të tyre të interesit dhe fare nuk preokupohen për interesat e qytetarëve, është thënë në këtë njoftim.