Lansohet punimi për rolin e shoqatave në vendimarrje publike
Prishtinë, 22 maj - Instituti Demokraci për Zhvillim (D4D) lansoi punimin Roli i shoqatave me anëtarësi në formësimin e vendimmarrjes në shërbim të interesit publik.
Një nga shtyllat kryesore që përkthen besimin e popullit tek të zgjedhurit politik janë organizatat me anëtarësi.
Bletarët, kontabilistët, bujqit, aktivistët, konsumatorët, janë grupe jo aq të zëshme por që mund të mobilizojnë numër të ndjeshëm të votave.
Grupe të tilla nuk janë duke lobuar sa duhet por pikërisht këto do të jenë grupet kryesore të shoqërisë të cilat në afat të gjatë do të përmirësojnë demokracinë kosovare duke e shndërruar Parlamentin në arenë të vërtetë të konkurrencës së interesave.
Le të ngritet shoqëria civile e vërtetë ishte tema e tryezës që sot organizoi Instituti D4D, me fokus tek organizatat me anëtarësi si përfaqësuese të interesit publik dhe si të ndikojnë në vendimmarrje nëpërmjet deputetëve të Kuvendit.
D4D prezantoi punimin i cili u komentua dhe diskutua nga një panel i deputetëve dhe përfaqësuesve të shoqërisë civile.
Si janë ata të organizuar, si ndikojnë në vendimmarrje, si mbrojnë agjendat e tyre dhe sigurohen se vendimet publike nuk i dëmtojnë, janë disa nga tema të cilat janë hulumtuar në punimin që është lansuar dhe diskutuar.
Sa anëtarë i kanë, sa janë të mobilizuar, dhe si mund të krijohet një urë në mes tyre dhe përfaqësuesve politik u diskutuan nga pikëvështrimi organizatave dhe deputetëve, dhe u nxjerrën konkluza për të gjetur interesat e përbashkët në mes tyre.
Punimi dhe tryeza kanë për qëllim që të inkurajojnë organizatat që të përkrahin deputetët që mbrojnë interesat e tyre dhe të inkurajojnë deputetët që të angazhohen për brengat e shoqatave.
Kjo duhet të sjellë tek një raport i interesit të dyanshëm të bashkëpunimit.
Agjenda e politikës publike duhet të merret në duart e vetë organizatave me anëtarësi, të shprehin brengat e tyre.
Partitë duhet të lidhen me bazën dhe ky përfaqësim i interesave nga poshtë dhe kjo mund të ndihmojë edhe vetë reformën dhe hapjen e partive drejt interesave të qytetarëve.