Lansohet projekti "Fuqizimi i Bashkëpunimit Juridik Ndërkombëtar"
Prishtinë, 19 mars - Në një konferencë të organizuar nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë, në të cilën kanë marrë pjesë, Zëvendësministri i Drejtësisë, Daut Xhemajli, Christof Stock, Shef i Operacioneve në Zyrën e BE-së në Kosovë, Peter Blomeyer, Ambasadori gjerman në Kosovë dhe Thomas Hackner, Udhëheqës i projektit nga shteti anëtar i BE-së, u lansua projekti i binjakëzimit Fuqizimi i Bashkëpunimit Juridik Ndërkombëtar.
Ky projekt është pjesë e mbështetjes së gjerë të Bashkimit Evropian në përmirësimin e standardeve dhe performancës në fushën e bashkëpunimit ligjor. Bashkëpunimi ligjorë ndërkombëtar në drejtësi penale mundëson ndjekjen penale, efektive dhe gjykim efektiv të krimeve kombëtare dhe ndërkombëtare, si dhe të krimeve të organizuara dhe të terrorizmit.
Zëvendësministri Xhemajli në këtë konferencë tha se njëra nga sfidat kryesore në fushën e rendit dhe ligjit, është bashkëpunimi ligjor ndërkombëtar, si kriter i rëndësishëm për Procesin e Stabilizim Asocimit dhe Liberalizimin e Vizave. Ai falënderoi Komisionin Evropian që ka mbështetur propozimin e Ministrisë së Drejtësisë për projektin IPA, për Bashkëpunim Juridik Ndërkombëtar në çështje penale dhe civile.
Zëvendësministri tha se Ministria e Drejtësisë, e ka Departamentin për Bashkëpunim Juridik Ndërkombëtar, i cili menaxhon bashkëpunimin me shtete të ndryshme të botës. Sipas tij, deri me sot Kosova ka nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi ndërkombëtar në çështje penale me Belgjikën, Turqinë, Maqedoninë, Zvicrën, Kroacinë etj., kurse janë afër nënshkrimit të marrëveshjeve me Gjermaninë, Italinë dhe Malin e Zi.
Ai tha se synojnë që të rrisim bashkëpunimin në çështjet penale, posaçërisht me shtetet anëtare të BE-së dhe efikasitetin duke ngritur kapacitetet njerëzore, me qëllim të përmbushjes së kërkesave që dalin nga procesi i integrimit evropian.
Zëvendësministri Xhemajli tha se kanë bashkëpunim të mirë me gjykata, prokurori, Policinë e Kosovës, ambasadat dhe konsullatat e Kosovës në botë, ambasadat dhe zyrat ndërlidhëse të shteteve të huaja në Kosovë, Interpolin, Konferencën e Hagës mbi të drejtën ndërkombëtare private dhe me çdo institucion vendor dhe ndërkombëtar që ndërlidhet me fushën e bashkëpunimit juridik ndërkombëtar në çështjet penale dhe civile, ndërsa si sfidë përmendi bashkëpunimin me shtetet që nuk e kanë njohur Kosovën.
Ky projekt do të zgjasë 18 muaj dhe ka vlerë prej 700 mije euro. Projektet e Binjakëzimit përfshijnë ekspert të BE-së të cilët punojnë bashkë me homologet e tyre në një institucion qeveritar. Aktualisht Zyra e BE-së në Kosovë po i menaxhon 11 projekte të binjakëzimi në fushën e sundimit të ligjit dhe të administrimit publik.