Lansohet Pakti Evropian për Rininë e Kosovës
Prishtinë, 4 mars - Sot është Lansuar në Kosovë Pakti Evropian për Rininë nga Rrjeti i Kosovës për Përgjegjësi Shoqërore Korporative, nën Patronatin e Lartë të Kryetarit të Kuvendit të Kosovës dhe me mbështetje të fuqishme nga CSR Europe, si dhe nga Ministritë e Arsimit dhe Punës e Mirëqenies Sociale, përfaqësuesve të lartë të sektorit publik, privat dhe shoqërisë civile në Kosovë. Me këtë rast Kosova bëhet shteti i parë pas 28 Shteteve Anëtare të BE-së, që lanson këtë Pakt dhe pranon zotimet e përfshira në të.
Pakti Evropian për Rininë ka për synim ndërtimin e partneriteteve mes sektorit publik, sektorit privat dhe rinisë, në mënyrë që bashkërisht të punojmë drejt krijimit të mundësive të reja për punësim dhe përfitim të shktathtësive për të rinjtë. Përmes Paktit, palët zotohen se bashkërisht do të angazhohen për të krijuar mundësi të reja për punë praktike, trajnime, zanatësi dhe punësim direkt për të rinjtë.
Me rastin e lansimit, Patroni i Paktit për Kosovë, Kryetari i Kuvendit z. Kadri Veseli deklaroi mbështetjen e tij të plotë për Paktin dhe çdo iniciativë tjetër që bashkon angazhimin e sektorit publik, privat dhe shoqërisë civile, dhe që për synim ka rritjen e punësimit dhe zhvillimin ekonomik. Z. Veseli theksoi rëndësinë që bashkërisht të angazhohemi për rininë dhe që kjo iniciativë të mos mbetet vetëm në letër por të ketë veprime konkrete që do të krijojnë punësim dhe zhvillim ekonomik.
Kryetari i Bordit të Rrjetit CSR Kosova mirëpriti të gjithë të pranishmit, tregoi për Rrjetin CSR si një nismë e bizneseve që janë zotuar të kontribojnë në mënyra të ndryshme për shoqërinë, dhe në mes tjerash sqaroi se anëtarët e këtij Rrjeti vullnetarisht, dhe pa asnjë detyrim ligjor, kanë kontribuar miliona euro deri tani nëpër aktivitete dhe projekte të ndryshme në dobi të shoqërisë, mjedisit dhe fudhave tjera të Përgjegjësisë Shoqërore Korporative.
Z. Jacques Spelkens nga CSR Europe, tregoi se edhe vendet anëtare të BE-së kanë probleme të ngjashme me Kosovën në raport me papunësinë e të rinjve dhe nevojat për ko-elaborim mes sektorit publik dhe atij privat. Ai foli për rëndësinë e veçantë që Pakti ka për Kosovën për shkak të demografisë që në shumicë përbëhet nga rinia, dhe poashtu mirëpriti faktin që Kosova menjëherë është bashkuar me vendet anëtare të BE-së në këtë zotim kaq të rëndësishëm.
Poashtu Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, z. Arsim Bajrami, tregoi për rëndësinë që sektori privat të involvohet në hartim të kurrikulave, dhe që sektori i arsimit të harmonizohet me nevojat e tregut të punës. Ministri Bajrami si bashkë-kryesues i këtij Pakti në Kosovë shprehi mbështetjen e tij të plotë për çdo iniciativë konkrete që buron nga ky Pakt dhe mirëpriti partneritetin e ngushtë me CSR Kosova, sektorin privat dhe shoqërinë civile.
Pas përfundimit të fjalimeve, Pakti Evropian për Rininë formalisht u nënshkrua nga Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Kryetari, Drejtori dhe Anëtarët e Bordit të CSR Kosova, dhe poashtu nga kompanitë anëtare të Rrjetit, kompanitë mbështetëse jo-anëtare, përfaqësuesit e institucioneve, përfaqësuesit e shoqërisë civile dhe ekspertët vendorë dhe ndërkombëtarë.