Lansohet memorandumin reagues për kriteret për komuna të reja
Prishtinë, 17 korrik - Instituti Demokraci për Zhvillim lansoi memorandumin reagues ku paraqiten kriteret e qarta për komuna të reja.
Në komunikatën e Institutit thuhet në kërkimin e kritereve për komuna të reja, në këtë memorandum të shkurtër u inspiruam nga korniza ligjore e Republikës së Bullgarisë.
Pavarësisht se ka dallime në mes të Kosovës dhe Bullgarisë (si për kah numri i popullatës apo madhësisë së territorit), dallimet nuk janë të mëdhsa sa i përket dendësisë së popullatës dhe përbërjes etnike.
Ky model ofron një skicë për diskutim për të miratuar kritere të qëndrueshme për krijimin e komunave të reja.
\"Duke paraqitur kritere të qarta, procesi do të bëhej më pak politik, më i parashikueshëm dhe do të ishte një garantues për qëndrueshmërinë e çdo komune të re. Kemi hulumtuar modele se si shtetet tjera krijojnë komuna të reja dhe kemi gjetur një mësim praktik nga një shtet afër\", thuhet në komunikatë.
Ky reagim është realizuar me përkrahjen e projektit Promovimi i Shoqërisë Demokratike (DSP) i financuar nga Zyra Zvicerane për Bashkëpunim në Kosovë (SCO‐K) dhe menaxhuar nga Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF). Përmbajtja e punimeve është përgjegjësi e D4D-së dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohet si qëndrim i SCO‐K‐së apo KCSF‐së.