Lansohet kampanja 'Jo Pyetje Pa Përgjigje'
Prishtinë, 3 maj - Sot në Ditën Botërore të Lirisë së Shtypit, në Hapësirën e Kosovo 2.0 lansohet kampanja “Jo Pyetje Pa Përgjigje”.
Në këtë ngjarje do të lansohet raporti “Jo Pyetje Pa Përgjigje”, i cili ofron të dhëna të nxjerra nga K2.0 bashkë me gazetarë nga 10 organizata mediale, rreth mbarëvajtjes së komunikimit mediatik të Presidentit Hashim Thaçi, Kryeministrit Ramush Haradinaj, Kryesisë së Kuvendit të Kosovës, Zyrës së Kryeprokurorit dhe Policisë së Kosovës.
K2.0 bashkë me gazetarë nga 10 organizata mediale, kanë monitoruar konferencat për shtyp të Kryeministrit Ramush Haradinaj, Presidentit Hashim Thaçi, Kryesisë së Kuvendit të Kosovës, Policisë dhe Zyrës së Prokurorit.
Për pesë muaj K2.0 ka monitoruar 52 nga 62 konferenca formale për shtyp që u mbajtën nga këto institucione.
Tetë prej tyre nuk ishin të hapura për pyetje. Këto konferenca, në në të cilat nuk u lejuan pyetjet, i trajtuan disa çështje të ndjeshme si greva e mësuesve e deri tek taksa 100 përqindëshe mbi produktet serbe.
Gjatë kësaj periudhe, këto institucione iu drejtuan publikut në më shumë se 1,000 postime në Facebook nëpërmjet faqeve zyrtare. Kjo do të thotë se për çdo konferencë për shtyp të mbajtur ishin 16 postime në Facebook.
Për dekada, konferencat për shtyp kanë shërbyer si një forum ku politikanët i janë ekspozuar pyetjeve të papritura para mediave.
"Janë hapësirë ku mund të kërkohen përgjigje kyçe, të ekspozohen politikanët, të kërkohet llogari prej tyre në publik dhe të shtrohen pyetjet jetike që shpeshherë mbesin pa përgjigje në komunikime me email dhe telefon."
"Nëpërmjet punës sonë monitoruese dhe bisedave me gazetarët, ne e kemi parë se si kjo vegël shumë e rëndësishme po shpërfillet jo vetëm nga politikanët, por edhe nga zyrtarët për shtyp në institucione publike. E kjo, duhet të ndryshojë", thekson K2.0.