Lajçak dhe Bislimi pajtohetn për hapat e parë drejt shtensionimit
Bruksel, 10 korrik - I dërguari i Posaçëm i Bashkimit Evropian për bisedimet Kosovë - Serbi, Miroslav Lajçak, tha të hënën se ka rënë dakord me kryenegociatorin e Kosovës, Besnik Bislimi, për hapat e parë drejt shtensionimit të situatës në veri, pa dhënë më shumë hollësi rreth tyre.
“Zhvillova diskutime të ngjeshura sot në Bratislavë me zotin Bislimi rreth shtensionimit të situatës në veri të Kosovës sipas kërkesave evropiane të shtruara me tre qershor si dhe për rrugën e zbatimit të të gjitha marrëveshjeve të arritura në dialog”, shkroi ai në Twitter.
Zoti Bislimi tha në një njoftim në rrjete sociale se ka biseduar me zotin Lajçak rreth hapave të ardhshëm për zbatimin “e plotë dhe dhe të drejtë” të marrëveshjes dhe planit të zbatimit të saj.
“U pajtuam për hapat e nevojshëm për të siguruar shtensionimin efektiv dhe sipas ligjit, për përqendrimin në normalizim dhe zbatim të sundimit të ligjit”, shkroi ai në Twitter.
Lajçak gjatë vizitës në Prishtinë e Beograd javën që shkoi paralajmëroi se përpjekjet e diplomacisë perëndimore për shtensiomin e situatës dhe kthimin e palëve në dialog do të vazhdojnë.
Perëndimi kërkon uljen e tensioneve përmes një plani evropian që parasheh pezullimin e operacioneve policore në veri, zhvendosjen e kryetarëve të komunave në zyra alternative dhe shpalljen e zgjedhjeve të parakohshme me pjesëmarrje të pakusht të serbëve të Kosovës.
Ndonëse udhëheqësit e të dyja vendeve janë zotuar për shtensionimin e situatës, ende nuk ka ndonjë hap konkret nga asnjëra palë për zbatimin e kërkesave perëndimore.