Lajçak: Asociacioni nuk është kërkesë e BE-së
Mbarëvajtja e procesit të dialogut, elementet e kornizës themelore të marrëveshjes, zbatimi i plotë dhe i shpejtë i udhërrëfyesit për energji dhe çështjet aktuale, ishin temat kryesore të diskutimit.
Pas takimit, Lajçak tha se janë dy vendet që duhet ta përcaktojnë marrëveshjen finale dhe se kjo nuk varet nga ndërmjetësuesit.
“Këtë duhet të vendosin Kosova dhe Serbia. Nuk më takon mua të vendos në emrin tuaj. Pra, kjo është ajo që ka të bëjë me procesin e dialogut”, tha Lajçak.
Ai tha se duan të sigurohen se ka një progres në procesin e normalizimit, i cili sipas tij, është element i rëndësishëm që të mos ketë përshkallëzim të situatës në terren.
“Unë jam këtu pothuajse çdo javë, dhe gjithashtu miku im i mirë, Gabriell Escobar ishte këtu dhe kjo është për shkak se ne duam të përdorim momentin, ne duam të sigurohemi që ka një progres në procesin e normalizimit, i cili është gjithashtu një element shumë i rëndësishëm që të mos ketë përshkallëzim të situatës në terren, të mos ketë tensione, dhe dhunë”, tha ai.
Për Lajçak, takimi dhe diskutimi me kryeministrin Kurti siç tha ai, ishte shumë konstruktiv dhe shumë i dobishëm.
Ndërsa sa i përket drafteve për Asociacionin, Lajçak tha se nuk ka qenë i njoftuar më herët për to. Ai tha se drafti s’është kërkuar nga BE-ja dhe se Bashkimi Evropian e sheh vetëm si “një nga shumë letrat që prodhohen”.
Kur jemi te kërkesa për Qeverinë e Kosovës nga i dërguari amerikan, Gabriel Escobar, që vendimin e reciprocitetit për targat ta shtyjë edhe 10 muaj, Lajçak tha se e kanë diskutuar, mirëpo nuk pranoi ta komentojë. Derisa shtoi se ka qenë një diskutim i hapur dhe i mirë lidhur me këtë çështje.
Më tej, Lajçak ka pranuar se ndër diskutimet që ka pasur me Kurtin ishte edhe propozimi franko-gjerman, porse ka refuzuar të japë detaje.
Ndërkohë, Qeveria nëpërmjet një komunikate theksoi se gjatë takimit Kurti Lajçak, është diskutuar mbarëvajtja e procesit të dialogut, elementet e kornizës themelore të marrëveshjes, zbatimi i plotë dhe i shpejtë i udhërrëfyesit për energji dhe çështjet aktuale, ishin temat kryesore të diskutimit.
“Kryeministri Kurti e falënderoi Lajçak për angazhimin e tij në rrugën drejt normalizimit të plotë të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë me njohjen reciproke në qendër”, thuhet në komunikatë.