19 Janar 2025

Kuvendit i duhet partneritet me shoqërinë civile

Prishtinë, 3 dhjetor - Përfaqësues të Kuvendit të Kosovës, të shoqërisë civile e të OSBE-së, si dhe ekspertë nga Letonia dhe Mali i Zi  kanë këmbyer sot në Prishtinë pikëpamje dhe përvoja për institucionalizimin dhe kodifikimin e bashkëpunimit ndërmjet shoqërisë civile dhe institucioneve të vendit.

Konferencën  mbi partneritetin ndërmjet Kuvendit të Kosovës dhe shoqërisë civile e ka hapur  kryesuesi i Misionit të OSBE-së në Kosovë, Jean-Claude Schlumberge, i cili në fjalën e tij të rastit ka theksuar rëndësinë që ka për demokracinë e një vendi bashkëpunimi ndërmjet institucioneve qendrore, sidomos Parlamentit dhe shoqërisë civile.

Në këtë mes ai ka përmendur, jo vetëm ekspertizën solide që kanë një numër i OJQ-ve, por edhe rolin tepër të rëndësishëm që ka për demokracinë e një vendi transparenca, zbatimi i ligjit dhe llogaridhënia. Ambasadori ka lavdëruar punën që ka bërë grupi punues tripartid për hartimin e Deklaratës për partneritet në mes të Kuvendit të Kosovës dhe shoqërisë civile, për të cilën është shprehur optimist se do ta miratojnë deputetët e Kuvendit të Kosovës.

Nënkryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, duke u shprehur i bindur se demokracia është e pamundshme dhe e paimagjinueshme pa sektorin aktiv të shoqërisë civile, ka konstatuar se nuk është e rastësishme që, në ato vende ku ka pushtete autoritare dhe diktatura totalitare, shoqëria civile është pothuajse inekzistente, apo në rastin më të mirë, një instrument më shumë në duart e partisë-shtet.

“Në vendet me demokraci të zhvilluar, shoqëria civile luan një rol të pazëvendësueshëm për mbikëqyrjen e punës së institucioneve, garantimin e transparencës, si dhe funksionimin ligjor të institucioneve publike”, ka theksuar Konjufca.

Ai tutje ka pohuar se  sfidat me të cilat ndeshet demokracia në Kosovë i korrespondojnë problemeve me të cilat përballet shoqëria civile, si: funksionimi ligjor i shtetit, pavarësia e gjyqësorit, korrupsioni në çdo nivel institucional, shërbimet publike, etj.

Nënkryetari i Kuvendit ka shprehur keqardhjen e tij për faktin që  bashkëpunimi ndërmjet  këtyre dy domeneve të shoqërisë nuk mbështetet mbi rregulla të qarta, por vetëm mbi vullnetin subjektiv arbitrar.  “Fatkeqësisht, kjo marrëdhënie funksionon në formë të mëshirës. Por demokracitë e zhvilluara nuk janë shoqëri të mëshirës, por shoqëri të së drejtës. E kjo na çon në përfundimin se bashkëpunimi mes shoqërisë civile dhe institucioneve politike duhet të kodifikohet”, ka thënë Konjufca.

Sekretari i Kuvendit, Ismet Krasniqi, ka folur për transparencën  gjithnjë në rritje të legjislativit të vendit, duke përmendur me këtë rast publikimin e shpejtë të votimit elektronik të deputetëve, regjistrimin e OJQ-ve në ueb-faqen e Kuvendit për pjesëmarrje në mbledhje të komisioneve parlamentare, përgjigjeve të rregullta dhe me kohë të pyetjeve të shoqërisë civile dhe të qytetarëve për punën e Kuvendit, si dhe punësimin në zyrën e tij të një zyrtareje për bashkëpunim me shoqërinë civile dhe me donatorë.

Anëtari i grupit punues për bashkëpunim ndërmjet Kuvendit dhe shoqërisë civile, deputeti Zenun Pajaziti, ka theksuar se përvojat e tij të bashkëpunimit me shoqërinë civile flasin se ligjet më të mira kanë qenë ato për hartimin apo amendamentimin e tyre kanë dhënë kontribut ekspertë  nga radhët e shoqërisë civile. Ai ndërkaq ka deklaruar se deklarata për partenritet ndërmjet Kuvendit dhe shoqërisë civile bart përvojat dhe nevojat e Kuvendit dhe të shoqërisë civile për transparencën.

Në këtë konference fjalë rasti kanë mbajtur edhe përfaqësues të ndryshëm të OJQ-ve, si: Driton Selmanaj, Burim Ejupi, Arton Demhasa dhe Taulant Hoxha, kurse shumë të tjerë kanë ngritur shqetësime të ndryshme dhe kanë shtruar pyetje për drejtuesit e Konferencës.

Për përvojat e mira nga Mali i Zi dhe Letonia të bashkëpunimit të parlamenteve të vendeve të tyre me shoqërinë civile kanë referuar Ana Novaskoviq dhe Karina Petersone.

Në përfundim të sesionit plenar të paradites është prezantuar Deklarata për partneritet në mes të Kuvendit të Kosovës dhe shoqërisë civile e cila është mirëpritur nga pjesëmarrësit.

Konferenca ka vazhduar punimet pasdite në panele me tema që kishin të bënin me liritë dhe të drejtat e njeriut,  zhvillimin e qëdrueshëm  dhe qeverisjen e mirë.


Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)