Kuvendi voton themelimin e Gjykatës Speciale
Kjo ishte hera e dytë që Kuvendi nxorri për miratim këto ndryshime, pas dështimit për të bërë një gjë të këtillë në seancën e 26 qershorit, në mungesë të 5 votave.
Miratimin e ndryshimeve e mundësoi ndryshimi i qëndrimit të disa deputetëve nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, të udhëhequr nga zëvendës kryeministri, Hashim Thaçi.
Ngritja e Gjykatës së Posaçme për krime lufte u mundësua me votat e dy të tretave të të gjithë deputetëve të Kuvendit prej 120 vendesh, si dhe dy të tretat e votave të deputetëve nga radhët e minoriteteve.
Seanca është shoqëruar me debate të ashpra mes përfaqësuesve të koalicionit qeveritar dhe deputetëve të opozitës, veçanërisht atyre të Vetëvendosje.
Gjykata Speciale për Krime Lufte, apo siç do të emërohet me ligj si Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar, pretendon të hetojë supozimet në raportin e Këshillit të Evropës lidhur me dyshimet për krime lufte të disa ish-pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ndaj disa civilëve serbë gjatë luftës së fundit.
Autoritetet më të larta ndërkombëtare i kanë bërë thirrje Kuvendit që Gjykata të votohet, për të shmangur mundësinë që ajo të themelohet nga Organizata e Kombeve të Bashkuara.