Kuvendi voton sot për Auditorin e Përgjithshëm
Po ashtu Kuvendi pritet të zgjedhet Auditori i Përgjithshëm dhe të debatohet lidhur me veprimtarinë e misionit të BE-së në Kosovë.
Pas deklarimeve jashtë rendit të ditës dhe pyetjeve parlamentare, Kuvendi do të procedojë me zgjedhjen e Auditorit të Përgjithshëm të Republikës së Kosovës, ndërsa do të shqyrtojë për herë të parë Projektligjin për Sigurimet.
Në lexim të dytë, ndërkaq, do të shqyrtohen katër projektligje që kanë të bëjnë me çështje financiare: Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr. 05/L-001 për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2015, Projektligji për Tatimin mbi Vlerën e Shtuar, Projektligji për Tatimin në të Ardhurat e Korporatave dhe Projektligji për Tatimin në të Ardhurat Personale.
Në fund, Kuvendi pritet të debatojë lidhur me veprimtarinë e misionit të BE-së në Republikën e Kosovës, sipas kërkesës së deputetes Albulena Haxhiu, e mbështetur nga pesë deputetë nënshkrues.