Kuvendi voton Behxhet Pacollin për President të Kosovës
Prishtinë, 22 shkurt - Me 62 vota për, 4 kundër dhe një votë të pavlefshme, Kuvendi i Kosovës votoi Behxhet Pacollin, kryetarin e deritashëm të Aleancës Kosova e Re, për postin e presidentit të Kosovës.
Në raundin e parë dhe të dytë, zoti Pacolli fitoi 54, përkatësisht 58 vota, por pas një pauze rreth 45 minutëshe, të cilën e kërkoi Partia Demokratike e Kosovës, 67 deputetët e Kuvendit u kthyen në sallë dhe dhanë miratimin e tyre për kandidaturën e zotit Pacolli.
Kërkesën e Partisë Demokratike të Kosovës për shtyrje të seancës pas raundit të dytë, kryetari i Kuvendit, Jakup Krasniqi, e cilësoi si antikushtetuese dhe presion mbi deputetët.
Në fund të votimit, zgjedhjen e Pacollit si president, Krasniqi e komentoi me shprehjen pauza ishte e suksesshme.
Procedurën e votimit e braktisën deputetët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, ata të Vetëvendosjes dhe homologët e tyre nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, të cilët e kundërshtuan zgjedhjen e zotit Pacolli si president.
Pacolli postin e presidentit e fitoi në bazë të një marrëveshjeje të arritur me partinë fituese të zgjedhjeve të përgjithshme të 12 dhjetorit, Partinë Demokratike të Kosovës.