Kuvendi vendos sot për Forcat e Armatosura
Debatit në Parlament pritet ti paraprijë një takim i udhëheqësve politikë në përpjekje për të gjetur një kompromis, i cili do të hapte edhe rrugën që, pas votimit të Forcave të Armatosura, vendi të shkojë në zgjedhje të reja parlamentare.
Shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Adem Grabovci, shpreh bindjen e tij se në seancën e sotme nuk do të ketë mungesë të votave sa i takon çështje së themelimin e Forcave të Armatosura të Kosovës.
Sa i takon votave ne, thellësisht jemi të bindur se nuk do të kemi problemi dhe çdo gjë do të kaloj në normalitet, ashtu siç edhe i takon të shkojë. Nuk e besoj që asnjë nga deputetët e Kuvendit të Kosovës është kundër formimit të Forcave të Armatosura, sepse formimi i kësaj force prodhon siguri për të gjithë qytetarët e Kosovës, pa marrë parasysh përkatësinë nacionale, thotë Grabovci.
Nderkaq Lista Srpska, e udhëhequr nga Beogradi ashtu siç është pritur, ka nisur fushatën e saj për të bllokuar proceset e Kosovës.
Kreu i saj, Vlladeta Kostiq, i ka bërë thirrje deputetëve nga radhët e pakicave në Kuvendin e Kosovës që të mos e votojnë themelimin e Forcave të Armatosura të Kosovës, FAK-un.
Kuvendi po ashtu në këtë seancë prite të miratoj amendamentet e Kushtetutës se Republikës së Kosovës, të propozuara nga Qeveria e Republikës së Kosovës.
Gjithashtu do të bëj shqyrtimin e parë të Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për kontrollin e duhanit, shqyrtimin e dytë të Projektligjit për masat antidamping dhe masat kundërbalancuese, shqyrtimin e dytë të Projektligjit për Skemat pensionale të financuara nga shteti, shqyrtimin e raportit të Komisionit për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë, Tregti dhe Industri për mbikëqyrjen e zbatimit të Ligjit për Aviacionin Civil, shqyrtimin e raportit vjetor për vitin 2013 i Agjencisë për Menaxhimin e Komplekseve Memorialë të Kosovës, shqyrtimin e raportit të Zyrës Rregullatorit për Ujëra dhe Mbeturina për vitin 2013, si dhe shqyrtimin e raportit të Agjencisë Shtetërore për Mbrojtjen e të Dhënave Personale për vitin 2013.