Kuvendi të premten mban seancë solemne për Presidentin Topi
Prishtinë, 25 qershor - Gjatë kësaj jave Kuvendi i Republikës së Kosovës do të mblidhet dy herë: të enjten , më 28 qershor, në seancë të rregullt, në të cilën do të shqyrtohen tri projektligje dhe të premten, në seancën solemne të cilës do ti drejtohet presidenti shqiptar në largim, Bamir Topi.
Kështu ka vendosur Kryesia e Kuvendit në mbledhjen e sotme, të drejtuar nga dr. Jakup Krasniqi, kryetar i Kuvendit, në të cilën merrnin pjesë edhe shefat e grupeve parlamentare.
Në seancën e së enjtes, pas shterimit të pikave të përhershme të seancave të rregullta të Kuvendit (koha për deklarime jashtë rendit të ditës dhe koha për pyetje parlamentare), deputetët do të votojnë për Raportin e Punës së Këshillit të Kosovës për Trashëgimi Kulturore, për vitin 2011, i shqyrtuar gjatë seancës së kaluar.
Në vazhdim të seancës do të shqyrtohen për herë të parë: Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e ligjit për letërnjoftim, Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e ligjit për metrologji, si dhe Projektligji për shëndetësi.
Në të njëjtën seancë do të shqyrtohet Propozim-vendimi i Qeverisë së Republikës së Kosovës për emërimin e anëtarëve në Bordin e Pavarur për Rishqyrtimin e Ankesave.
Duke e shqyrtuar kërkesën për formimin e Komisionit Ad-hoc për përzgjedhjen e anëtarëve të Bordit të Radio Televizionit të Kosovës, anëtarët e Kryesisë kanë konstatuar se në Kuvend janë dorëzuar të gjitha dosjet e kandidatëve që kanë konkurruar për anëtar të Bordit të RTK-së.
Në takim është pohuar se janë plotësuar kushtet për formimin e Komisionit Ad-hoc për përzgjedhjen e anëtarëve të Bordit, prandaj Kryesia ka vendosur që çështjen ta radhisë si pikë të fundit të seancës së të enjtes, duke kërkuar nga grupet parlamentare që ti propozojnë kandidatët për këtë komision 9-anëtarësh ( PDK dhe LDK nga dy, kurse grupet e tjera parlamentare: VV, AAK, SLS dhe 6+, nga një kandidat).
Në seancën solemne, të së premtes, presidenti shqiptar në largim, Bamir Topi, do tu drejtohet deputetëve të Kuvendit të Republikës së Kosovës.