Kuvendi të enjten mban seancën e rregullt
Prishtinë, 4 qershor - Seanca e rregullt e Kuvendit të Republikës së Kosovës do të mbahet të enjten, më 7 qershor të këtij viti. Kështu ka vendosur Kryesia në mbledhjen e sotme, të drejtuar nga dr. Jakup Krasniqi, kryetar i Kuvendit, në të cilën merrnin pjesë edhe shefat e grupeve parlamentare.
Pas pikave të përhershme të seancave të rregullta të Kuvendit: Koha për deklarime jashtë rendit të ditës dhe koha për pyetje parlamentare, në seancën e së enjtes deputetët do të shqyrtojnë dhe miratojnë Rekomandimet e Komisionit për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, Persona të Pagjetur dhe Peticione lidhur me rolin dhe pozitën e fëmijëve në Kosovë.
Në vazhdim të seancës do të shqyrtohet për herë të dytë Projektligji për të verbrit, kurse për herë të parë do të shqyrtohet Projektligji për mbrojtjen e konsumatorit.
Deputetët do të votojnë edhe Propozim-vendimin e Komisionit për Përzgjedhjen e kryesuesit dhe anëtarëve të Bordit Drejtues të Fondit të Kursimeve Pensionale të Kosovës, kurse do të shqyrtojnë Raportin vjetor të Agjencisë Kosovare të Privatizimit, për vitin 2011, si dhe Raportin ( për të njëjtin vit) të Komisionit të Ndihmës Juridike.
Kryesia, po në mbledhjen e sotme, ka shqyrtuar Rekomandimin e Komisionit për Buxhet dhe Financa lidhur me kërkesën e Kuvendit të Republikës së Kosovës për rishikimin e buxhetit, për vitin 2012.
Pasi sekretari i përgjithshëm i Kuvendit, Ismet Krasniqi, i ka dhënë sqarimet e nevojshme lidhur me zërat kryesor të rishikimit të buxhetit, Kryesia e ka miratuar rekomandimin.