Kuvendi të enjten mban dy seanca plenare
Prishtinë, 19 shkurt - Kryesia e Kuvendit të Republikës së Kosovës, në mbledhjen e sotme të drejtuar nga dr. Jakup Krasniqi, kryetar, në të cilën morën pjesë edhe kryetarët e grupeve parlamentare, ka vendosur që ditën e enjte, më 21 shkurt, të mbahen dy seanca plenare.
Në seancën e paradites do të procedohet me shqyrtimin e Rekomandimit të Komisionit për zgjedhjen e një anëtari joekzekutiv të Bordit të Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës (pikë kjo e mbetur nga mbledhja plenare më 11 shkurt 2013), kurse në vazhdim do të procedohet me pikatë e mbetura nga mbledhja plenare më 14 shkurt 2013.
Do të zhvillohet debat parlamentar sipas kërkesës së deputetit Bekim Haxhiu (i mbështetur edhe nga 19 deputetë), lidhur me gjendjen e sportit në Kosovë.
Në vazhdim do të shqyrtohet Propozim-vendimi i Qeverisë së Republikës së Kosovës për emërimin e anëtarëve të Bordit të Agjencisë Kosovare të Privatizimit, kurse në përfundim të seancës do të shqyrtohet propozimi i Grupit Parlamentar të PDK-së për zëvendësimin e një anëtari në Komisionin për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë, Tregti dhe Industri.
Në seancën e pasdites, ndërkaq, pas shterimit të pikave të përhershme të rendit të ditës së seancave të rregullta të Kuvendit të Kosovës: koha për deklarime jashtë rendit të ditës, dhe koha për pyetje parlamentare, deputetët parashihet të zhvillojnë debat parlamentar lidhur me mos ekzekutimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës për pagat e punëtorëve të Fabrikës së Tubave dhe Çelikut në Ferizaj. Kërkesën për debat e ka shtruar Grupi Parlamentar i LDK-së.
Pikë e fundit e rendit të ditës për këtë seancë do të jetë njoftimi i Grupit Parlamentar 6+ lidhur me marrëveshjen për ndërrimin e Anëtarit të Kryesisë së Kuvendit, si dhe kërkesat e disa deputetëve nga komunitetet tjera jo shumicë për zëvendësimin e anëtarit të Kryesisë së Kuvendit nga radha e tyre.
Kryesia në mbledhjen e sotme ka shqyrtuar edhe një varg kërkesash dhe propozimesh.
Lidhur me kërkesën e deputetit Ramiz Lladrovci (i mbështetur nga deputetët nënshkrues), për debat parlamentar lidhur me rastin Kiçina, Kryesia ka vlerësuar se edhe një herë duhet biseduar me parashtruesin e Kërkesës, në mënyrë që përfundimisht të merret vendimi për këtë kërkesë.
Kryesia ka vlerësuar se kërkesa e Grupit Parlamentar të LDK-së për debat parlamentar për kompensimin e pensionistëve për kontributet e dhëna deri në vitin 1999, i plotëson kushtet për procedim dhe ka vendosur që ta radhisë për seancën vijuese (pas asaj të 21 shkurtit).
Njësoj do të veprohet edhe me kërkesën e deputetit Visar Ymeri ( i mbështetur edhe nga 10 deputetë të tjerë), për debat parlamentar lidhur me demonstratën e 10 shkurtit 2007.
Propozim-vendimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës për miratimin e Statutit ë Universitetit Publik Haxhi Zeka në Pejë, si dhe atë për miratimin e Statutit të Universitetit Publik Ukshin Hoti në Prizren, Kryesia ua ka deleguar Komisionit për Arsim.