Kuvendi sot voton presidentin dhe qeverinë e Kosovës
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi bëri te ditur dje se do të shqyrtojë kërkesën e koalicionit për mbajtjen e një seance të jashtëzakonshme të martën (sot), do të votohet për Presidentin dhe Qeverinë e Republikës së Kosovës.
Ndërkaq, nënkryetari i PDK-së, Hajredin Kuçi deklaroi në Kuvendin e Kosovës se kanë deponuar një kërkesë për seancë të jashtëzakonshme për ditën e martë, me qëllimin e votimit të Presidentit dhe Qeverisë së Kosovës.
"Përfaqësuesit e partive në koalicion shtruan kërkesën që sot pasdite të mbahet një seancë e jashtëzakonshme për votimin e institucioneve të reja të vendit, kërkesë kjo për të cilën do të vendoset sot paradite nga kryesia e Parlamentit."
Edhe pse tashmë dihet se cilat janë forcat politike përbërëse të koalicionit të ardhshëm qeverisës, ende nuk dihet përbërja e tyre.
Seanca në të cilën do të hidhet në votim zgjedhja e Behgjet Pacollit president dhe kabineti i ri qeveritar i udhëhequr nga Hashim Thaçi, është thirrur me kërkesë të grupit parlamentar të PDK-së.
Zgjedhja e presidentit bëhet me votim të fshehtë dhe nëse në raundin e tretë z.Pacolli nuk arrin të sigurojë të paktën 61 vota, vendi shkon në zgjedhje të jashtëzakonshme.
Edhe qeverisë i duhen numër i njëjtë i votave për të kaluar në Parlament.
Partnerët e koalicionit, Partia Demokratike, Aleanca Kosova e Re, Lista Ibrahim Rugova dhe minoritetet numërojnë rreth 65 vota, por disa zyrtarë të PDK-së janë shprehur pro votimit të z.Pacolli për president të Kosovës.
Vetë z.Pacolli ndërkaq ka deklaruar se nuk e di nëse i ka votat e mjaftueshme për tu zgjedhur në Kuvend.
Partitë opozitare, Lidhja Demokratike, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Lëvizja Vetëvendosje kanë thënë se nuk do ta votojnë kryetarin e AKR-së, Behgjet Pacolli për president dhe as kryetarin e PDK-së, Hashim Thaçi për kryeministër.
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës madje ka thënë se nuk do të marrë fare pjesë në votim.
Dështimi për të zgjedhur institucionet e reja të dala nga zgjedhjet e dhjetorit do ta çonte sërish vendin në krizë të re institucionale.
Kryetari i Partisë Demokratike Hashim Thaçi ka përmbyllur marrëveshjet për krijimin e qeverisë së re në të cilën do të përfshihen Aleanca Kosova e Re, partitë e pakicave kombëtare dhe lista Ibrahim Rugova që ka një deputet në Parlamentin 120 vendesh.
Sipas kësaj marrëveshjeje zoti Thaçi i cili pritet të jetë sërish kryeministër i vendit, është pajtuar që posti i presidentit të Kosovës ti takojë kryetarit të Aleancës Kosova e Re, Behxhet Pacolli.
Burime nga Partia Demokratike e Kosovës, kanë treguar për Top Channel përbërjen e re të Qeverisë së Kosovës, më saktësisht emrat e ministrave që vijnë nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës.
Sipas këtyre burimeve, që duan të mbesin në anonimat, Hajredin Kuçi do të vazhdojë të mbajë postin e zëvëndëskryeministrit të Kosovës, por do të drejtojë edhe Ministrinë e Drejtësisë.
Ndërsa, Vlora Çitaku, e cila gjatë mandatit të kaluar të Qeverisë Thaçi ishte zëvëndës ministre e Punëve të Jashtme, në përbërjen e re, do të drejtojë këtë dikaster.
Ramë Buja do të drejtohë Ministrinë e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, të cilën deri më tani e drejtonte Enver Hoxhaj, pasi ky i fundit do të jetë Ministër i Integrimeve Europiane.
Kurse, në vend të Fatmir Limajt, i cili drejtonte Ministrinë e Transportit dhe Postë Telekomunikacionit, do të emërohet Fehmi Mujota, që drejtonte Ministrinë e FSK-së.
Zëdhënësi i deritanishëm i qeverisë, Memli Krasniqit, i është besuar posti ministror i Ministrisë së Kulturës Rinisë dhe Sporteve, ndërsa, Blerand Stavileci do të vazhdojë të drejtojë Ministrinë e Bujqësisë dhe të Zhvillimit Rural, dikaster të cilin e drejton prej disa kohë.
Po, sipas këtyre burimeve, kjo listë pritet të zyrtarizohet gjatë ditës së martë, nga i mandatuari për formimin e qeverisë, Hashim Thaçi.