Kuvendi sot shqyrton Projektligjin për Amnistinë
Në seancën e parë që do të fillojë në ora 10:00 pas kohës për deklarime jashtë rendit të ditës, kohës për pyetje parlamentare, miratimit procesverbalit të seancës së mëparshme, në rend dite do të jetë shqyrtimi i parë i Projektligjit për Amnistinë.
Për procedimin e këtij projektligji në seancë janë pajtuar shumica e pjesëmarrësve në këtë takim, pos përfaqësuesve të Grupit Parlamentar Vetëvendosje!, të cilët e kanë kundërshtuar si dhe nënkryetarit, Sabri Hamiti, i cili ka tërhequr vëmendjen se Projektligji në fjalë doemos duhet të kishte kaluar paraprakisht në Komisionin për Legjislacion.
Për të kundërshtuar miratimin e këtij projekt-ligji, mbi 6,000 qytetarë janë nënshkruar në një peticion të shoqërisë civile i cili pritet të dërgohet në kuvend.
Nderkaq, në kohën kur në parlament do të debatohet për projekt-ligjin e amnistisë, jashtë ndërtesës është paralajmëruar një protestë e cila është thirr për në orën 11h.
Ndërsa, në seancën e dytë do të shqyrtohet për herë të parë Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr. 04/L-165 për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2013, si dhe për herë të dytë Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr. 03/L-048 për menaxhimin e financave publike dhe përgjegjësitë, të ndryshuar dhe plotësuar me ligjet nr. 03/L-221 dhe nr. 04/L-116.
Për herë të parë do të shqyrtohet edhe Projektligji për sistemin e lejeve dhe licencave, kurse për herë të dytë Projektligji për tarifat e veçanta të akcizës për prodhimin fillestar dhe prodhimin e vogël të produkteve alkoolike të prodhuara në Kosovë.
Në vazhdim të seancës do të shqyrtohet Rekomandimi i Komisionit për Buxhet dhe Financa lidhur me vendimin e Presidentes së Republikës së Kosovës për kthimin e Ligjin nr. 04-L-163 për mallrat e liruara nga tatimi doganor dhe mallrat me tarifë zero të tatimit doganor.
Kuvendi po ashtu shqyrton edhe raportin vjetor i Autoritetit Rregullativ të Komunikimeve Elektronike dhe Postare për vitin 2012, Raporti i Komisionit për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë, Tregti dhe Industri për mbikëqyrjen e zbatimit të Ligjit për masat mbrojtëse në importe, Raporti vjetor i performancës me pasqyrat e audituara financiare të Zyrës së Auditorit të Përgjithshëm për vitin 2012, si dhe Raporti përfundimtar i Komisionit Hetimor Parlamentar.
Në përfundim të kësaj seance parashihet që deputetët të zgjedhin drejtorin e Agjencisë për Menaxhimin e Komplekseve Memorialë të Kosovës.