Kuvendi sot pritet të miratojë rezolutë për bisedimet me Serbinë
Rezoluta parashikon një proces normalizimi të raporteve me Serbinë, duke zgjidhur të gjitha çështjet kontestuese midis dy shteteve sovrane.
Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike të Kosovës të hënën ka prezantuar një draftë-rezolutë në bashkëpunim me Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës, Koalicionin për Kosovën e Re, SLS-në dhe Grupi 6 +.
Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Adem Grabovci, tha se normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë e mbështesin shumica e partive dhe qytetarëve të Kosovës.
Ai tha se me këtë rezolutë, Qeveria e Kosovës do të autorizohet që të udhëheqë procesin e ardhshëm të bisedimeve me Serbinë.
Ndërsa në pikën 4 të kësaj rezolute, përmendet autorizimi që Kuvendi do tia japë Qeverisë për të udhëhequr bisedimet.
Kuvendi i Republikës së Kosovës autorizon Qeverinë e Republikës së Kosovës që të udhëheqë këtë proces, me pjesëmarrje të komisioneve të nevojshme të Kuvendit të Kosovës.
Në draftërezolutë, kërkohet që bisedimet mes Kosovës dhe Serbisë të ndërmjetësohen nga Bashkimi Evropian dhe të mbështeten nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Kundër kësaj rezolute është deklaruar Lëvizja Vetëvendosje. Deputeti i Vetëvendosjes, Glauk Konjufca, tha se rezoluta e PDK-së dhe partive të tjera është në dëm të interesave të Kosovës.
Nënkryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit, të hënën, ka thënë se kjo rezolutë është e dëmshme derisa ka shfaqur qëndrim kritik edhe ndaj partive opozitare.
Partia Demokratike po arrin ti marrë subjektet opozitare në dialogun me Serbinë. Kjo është shumë shqetësuese këtu për jetën politike në Kosovë, edhe për skenën opozitare në përgjithësi, se si partitë opozitare nuk mund të bashkohen krejt për të ndalur një projekt të dëmshëm të Qeverisë, e për të ndalur një projekt të dëmshëm siç janë negociatat, i renditen dhe i rrinë gjithë gati Partisë Demokratike të Kosovës me këtë rezolutë që do të sillet në Kuvend, ka theksuar Konjufca.
Për të miratuar këtë rezolutë në Kuvend, nevojitet vetëm shumica e thjeshtë, respektivisht 61 vota.