Kuvendi sot mban seancën për Projektligjin për Rimëkëmbjen Ekonomike
Në vazhdimin e seancës do të votohet Projektligji për ratifikimin e Marrëveshjes ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Asociacionit Ndërkombëtar për Zhvillim lidhur me financimin e programit – nxitja dhe levimi i mundësive për sigurimin e ujit, pastaj Projektligji për ratifikimin e Marrëveshjes së Kredisë për likuiditet të urgjencës së infrastrukturës vitale, ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim dhe Projektligji për ratifikimin e Kontratës Financiare ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bankës Evropiane për Investime për Projektin e Impiantit të Ujërave të Zeza në Gjilan.
Po në ketë seancë pritet edhe të votohet në parim i Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Lirinë Fetare në Kosovë, votimi në parim i Projekt Kodit Civil të Republikës së Kosovës, votimi në parim i Projektligjit për masat e përkohshme për ta lehtësuar efektin e Pandemisë COVID-19 si dhe votimi në parim i Projektligjit për Mbrojtjen e Vlerave të Luftës së UÇK-së.
Kuvendi po ashtu pritet te votoj edhe Propozim-rezolutat nga Interpelancat me Kryeministrin Avdullah Hoti, sipas kërkesës së deputetes Fitore Pacolli-Dalipi, mbështetur edhe nga 6 deputetë të GP të LVV-së, në lidhje me pezullimin njëvjeçar i aplikimit të Republikës së Kosovës për anëtarësim në organizata ndërkombëtare, Propozim-rezolutën sipas kërkesës së deputetes Mimoza Kusari-Lila, mbështetur edhe nga 6 deputetë të GP të LVV-së, në lidhje me përfshirjen e Republikës së Kosovës në “Zonën e mini-Shengenit ballkanik”, si dhe Propozim-rezolutën sipas kërkesës së deputetit Rexhep Selimi, mbështetur edhe nga 6 deputetë të GP të LVV-së, në lidhje me deklarimin dhe qëndrimin e Kryeministrit për zbatimin e Marrëveshjes për themelimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe.