Kuvendi sot mban seancën e fundit të sesionit pranveror
Prishtinë, 31 korrik - Kuvendi i Republikës së Kosovës do të mbajë seancën e fundit të sesionit pranveror, para se deputetët të shkojnë në pushim vjetor.
Në këtë seancë parashihet të ratifikohen tri marrëveshje ndërkombëtare të lidhura nga Qeveria e Kosovës.
Kuvendi do të ratifikoj Projektligjin për Ratifikimin e Marrëveshjes Kornizë ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Bankës Evropiane për Investime që rregullon aktivitetet e Bankës Evropiane për Investime në Kosovë, Projektligji për ratifikimin e Marrëveshjes Financiare ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Asociacionit Ndërkombëtar për Zhvillim Financimi i dytë shtesë për projektin e pastrimit të sektorit të energjisë dhe të bonifikimit të tokave CLRP,
Po ashtu pritet te ratifikohet edhe Projektligji për Ratifikimin e Marrëveshjes Financiare ISTISNAA dhe Marrëveshja për Agjencinë ISTISNAA për financimin e vazhdimit të ndërtimit të rrugës Milloshevë Mitrovicë, Rruga M2, e lidhur ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Bankës Islamike për Zhvillim.
Në vazhdim do të shqyrtohet për herë të parë Projektligji për Fshatin Zym i Hasit, kurse për herë të dytë do të shqyrtohen: Projektligji për të huajt, Projektligji për Bashkëpunim Juridik Ndërkombëtar në Çështjet Penale, Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr. 04/L-072 për kontrollin dhe mbikëqyrjen e kufirit shtetëror.
Kuvendi gjithashtu do të shqyrtojë edhe Projektligjin për bashkëpunim ndërmjet autoriteteve të përfshira në menaxhimin e integruar të kufirit, Projektligji për Shtetësinë e Kosovës, Projektligji për Azil, Projektligji për parandalimin dhe luftimin e trafikimit me njerëz dhe mbrojtën e viktimave të trafikimit, Projektligji për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit nr. 03/L-174 për financimin e subjekteve politike, të ndryshuar dhe plotësuar me Ligjin nr. 04/L-058, si dhe Projektligji për mbrojtjen e burimeve të gazetarisë.
Edhe në këtë seancë, ndërkaq, deputetë do të kenë rastin të bëjnë deklarime jashtë rendit të ditës dhe të shtrojnë pyetje parlamentare për punën e Qeverisë së Kosovës.
Sesioni vjeshtor, ndërkaq, fillon të hënën e dytë të muajit shtator.