Kuvendi sot mban seancë të rregullt plenare
Prishtinë, 14 maj - Kuvendi i Republikës së Kosovës sot mban seancë të rregullt plenare ku do të shqyrtohen raporte të auditimit dhe raporte financiare të institucioneve të ndryshme të vendit.
Në seancën e sotme, pas pikave të zakonshme të rendit të ditës: koha për deklarime jashtë rendit të ditës dhe koha për pyetje parlamentare, do të shqyrtohen: Raporti i Auditimit për vitin 2013, të Zyrës së Auditorit të Përgjithshëm, Raporti i Komisionit për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë, Tregti dhe Industri për mbikëqyrjen e zbatimit të Ligjit për Investimet e huaja, raportit financiar për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2014, raporti i Agjencisë për Ndihmë Juridike Falas për vitin 2014, etj si dhe një varg raportesh tjera.
Kuvendi po ashtu pritet të formojë Komisionin ad hoc për përzgjedhjen e kandidatëve për anëtar të Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës të Shërbimit Civil të Kosovës nga radha e komunitetit Serb.