Kuvendi sot mban seancë të jashtëzakonshme për Haradinajn
Prishtinë, 10 janar - Kuvendi i Republikës së Kosovës do të mblidhet sot në seancë të jashtëzakonshme, në të cilën do të debatohet lidhur me mbajtjen në arrest të kryetarit të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, në Francë.
Kuvendi mbledhet me kërkesen e 43 nënshkrimeve të deputetëve pasi që edhe i plotëson kushtet për të thirrur seancë të jashtëzakonshme të Kuvendit.
Autoritetet franceze ndaluan në aeroportin e Bazelit, Ramush Haradinajn, mbi bazën e një urdhër-arresti ndërkombëtar të lëshuar që më 2004 nga autoritetet e Serbisë, me pretendimet për krime lufte të kryera në periudhën e luftës në Kosovë.
Gjykata franceze ka vendosur për mbajtjen e Haradinajt në paraburgim ku edhe i jep një afat, siç thuhet në dokument, deri në 40 ditë autoriteteve të Serbisë për të kompletuar dokumentacionin me kërkesën për ekstradimin e tij.