Kuvendi sot debaton lidhur me gjendjen në Veri
Prishtinë, 18 prill - Kuvendi i Republikës së Kosovës sot, do të mban seancë e jashtëzakonshme për të debatuar lidhur me gjendjen në Veri të Kosovës, kurse të enjten dhe të premten do të mbahen dy seanca të rregullta të legjislativit të vendit.
Kështu ka vendosur dje Kryesia e Kuvendit, në mbledhjen e drejtuar nga dr. Jakup Krasniqi, kryetar i Kuvendit, në të cilën merrnin pjesë edhe shefat e grupeve parlamentare.
Seanca e jashtëzakonshme thirret sipas kërkesës së nënshkruar nga 46 deputetë të Grupit Parlamentar i PDK-së dhe deputetë të tjerë nga radhët e koalicionit qeverisës.
Ka mbetur që kërkesa për seancë të jashtëzakonshme të deponohet në Zyrën për parashtresa të Kuvendit, në mënyrë që ajo të quhet e ligjshme.
Në seancën e së enjtes, pas shterimit të pikave të përhershme të seancave të rregullta të Kuvendit: çështje jashtë rendit të ditës dhe pyetje parlamentare, deputetët do ta shqyrtojnë për herë të parë Projektligjin për pasurimin e miellit, kurse për herë të dytë do ta shqyrtojnë Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për administratën tatimore dhe procedurat.
Në të njëjtën seancë, ndërkaq, do të shqyrtohen: Raporti i parë për zbatimin e Planit të Veprimit të Kuvendit të Kosovës për Integrim Evropian, për vitin 2012, Raporti vjetor i Autoritetit të Konkurrencës të Kosovës, për vitin 2011, Raporti vjetor i Organit Shqyrtues të Prokurimit, për vitin 2011, Raporti vjetor të Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik, për vitin 2011, si dhe Strategjia dhe Plani i veprimit kundër korrupsionit.
Në seancën e së premtes, më 20 prill, pos pikave të përhershme të rendit të ditës do të shqyrtohen për herë të dytë: Projketkodi Penal i Republikës së Kosovës, Projektligji për fshatin Hoçë e Madhe, Projektligji për Qendrën Historike të Prizrenit, Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për ndërmarrjet Publike, si dhe Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për tatimin në pronën e paluajtshme.