Kuvendi shpall të pavlefshëm referendumin në veri
Shefi i Grupit Parlamentar i PDK-së, Adem Grabovci ka thënë se ky referendum është kundërshtuar nga të gjithë, si nga institucionet e vendit ashtu edhe nga faktori ndërkombëtar.
Ne jemi dëshmitar që dje ka ndodhur një ngjarje në veri të vendit. Mbajtja e një referendumi ilegal, siç është vlerësuar dhe siç është realitet edhe i kundërshtuar nga gjithë faktori ndërkombëtar, por edhe nga Qeveria e Republikës së Kosovës, ka thënë Grabovci.
Kuvendi i Republikës së Kosovës
Në bazë të nenit 65.1 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe të nenit 6 paragrafi 1 dhe 49 të Rregullores së Kuvendit të Republikës së Kosovës;
Duke u mbështetur në neni 1.1 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, i cili thotë: Kosova është shtet i pavarur, sovran, demokratik, unik dhe i pa ndashëm;
Duke shprehur mbështetjen për mbrojtjen dhe realizimin e të drejtave të komuniteteve, si dhe implementimin në tërësi të Propozimit Gjithëpërfshirës për zgjidhjen e statusit final të Kosovës;
Duke rikonfirmuar vullnetin për integrim institucional dhe shoqëror të komuniteteve që
jetojnë në Republikën e Kosovës;
Duke u bazuar në veprimin institucional, brenda rregullave që ofron rendi juridik dhe
kushtetues i Republikës së Kosovës, me propozimin e Grupeve parlamentare, miraton këtë:
DEKLARATË
1. Kuvendi i Republikës së Kosovës e kundërshton dhe e shpall të paligjshëm e të pavlefshëm Referendumin e strukturave paralele në komunat veriore të Kosovës, të financuara e të drejtuara nga Republika e Serbisë kundër Pavarësisë, Sovranitetit dhe Integritetit territorial të Republikës së Kosovës.
2. Kuvendi i Republikës së Kosovës e vlerëson këtë referendum cenim të rendit juridik dhe kushtetues të Republikës së Kosovës;
3. Kuvendi i Republikës së Kosovës konstaton që i ashtuquajturi Referendum i organizuar nga strukturat ilegale, nuk prodhon asnjë efekt juridik, politik dhe si i tillë është i pavlefshëm;
4. Organizimet e tilla jashtë institucionale dhe ilegale dëmtojnë përpjekjet e vazhdueshme të Institucioneve të Republikës së Kosovës për integrim të komunitetit serb në jetën institucionale;
5. Kuvendi i Republikës së Kosovës inkurajon komunitetin serb të pjesës veriore që sa më shpejtë të angazhohet në implementimin e Propozimit Gjithëpërfshirës për zgjidhjen e Statusit të Kosovës.
6. Institucionet e Republikës së Kosovës konfirmojnë gatishmërinë e tyre për mbrojtjen dhe respektimin e të gjitha konventave ndërkombëtare, që garantojnë liritë dhe të drejtat e qytetarëve, si dhe të drejtat e pakicave.