18 Janar 2025

Kuvendi shënoi Ditën Ndërkombëtare të Demokracisë

Prishtinë, 16 shtator - Kuvendi i Republikës së Kosovës shënoi sot Ditën Ndërkombëtare të Demokracisë. Me këtë rast nga ora 09:00-16:00, Kuvendi hapi dyert për nxënës, studentë dhe qytetarë, të cilët vizituan ambientet e Kuvendit të Republikës së Kosovës, si dhe patën rastin të takohen me përfaqësues të tyre të zgjedhur.

Po ashtu, para hyrjes kryesore të Kuvendit u hap edhe “Panairi i organizatave të shoqërisë civile".

Gjatë hapjes së këtij panairi, fjalë rasti mbajtën nënkryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, si dhe përfaqësues të OSBE-së dhe KIPRED-it.

Konjufca fillimisht tha se deklarata universale e demokracisë përbën një dokument, i cili për herë të parë dhe në mënyrë eksplicite i dedikohet enkas çështjes së demokracisë. 

Ai theksoi se në vitin 2007 Asambleja e Përgjithshme e  OKB-së miratoi rezolutën e saj 62/7, në të cilën përfshihen pothuajse të gjitha parimet fundamentale të kësaj deklarate të demokracisë, si dhe u vendos që 15 shtatori të kremtohet në gjithë botën si ditë e demokracisë.

Konjufca  pasi shkëputi disa nga pikat e kësaj deklarate, tha se  pika 18 është e rëndësisë së veçantë sa i përket aktivitetit të sotëm që po  zhvillohet në Kuvend, duke shtuar se ekzistenca e një shoqërie aktive civile është thelbësore për funksionimin e demokracisë.

“Bashkëpunimi mes Kuvendit dhe shoqërisë civile është në rrugë të mbarë”, tha nënkryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, duke përmendur si një lajm të mirë edhe nismën e OSBE-së për mbështetje të bashkëpunimit mes Kuvendit dhe shoqërisë civile në Kosovë.

“Kjo do të kurorëzohet me përpilimin e një deklarate të përbashkët për bashkëpunim mes Kuvendit dhe shoqërisë civile,  e cila do t’i paraqitet Kuvendit të miratohet si deklaratë”, sqaroi Konjufca.

Ndërkaq, Elaine Conkievich, drejtoreshë e Departamentit  të OSBE-së për Demokratizim, duke lavdëruar veprimin e ndërmarrë nga Kuvendi për shënimin e kësaj dite dhe organizimin e këtij aktiviteti, tha se OSBE-ja është e zotuar dhe e përkushtuar që ta forcojë këtë bashkëpunim që ka, si me Kuvendin e Republikës së Kosovës, ashtu edhe me shoqërinë civile, në mënyrë që të krijohet një modalitet i fuqishëm  i përbashkët i punës.

“OSBE-ja edhe gjatë këtij viti synon që edhe më tej të ndërtojë raportet, të cilat do të forcohen në bazë të parimit. OSBE edhe më tej do të ndihmojë shoqërinë civile që të marrë pjesë, qoftë në takime,  qoftë në shqyrtimin legjislativ, në mënyrë që të forcohet edhe më tej demokracia”, tha ajo.

Ndërkaq, Albert Krasniqi,  nga organizata KIPRED, tha sa është shënuar avancim në bashkëpunimin mes Kuvendit dhe shoqërisë civile, ndërsa shtoi se përfshirja e sa më shumë grupeve të interesit gjatë hartimit të ligjeve është vlerë e shtuar për demokracinë, duke kontribuar në ligje sa më cilësore. “Vetëm në këtë mënyrë mund të ndërtojmë demokraci transparente, gjithëpërfshirëse dhe llogaridhënëse”, tha ai.

Në kuadër të këtij shënimi, në ndërtesën e Kuvendit, u mbajt edhe ceremonia e ndarjes së çmimeve për esenë në temën “Sa dëgjohet zëri im?”. Me këtë rast, Medina Gjuraj, nga gjimnazi “Eqrem Çabej” në Prishtinë, mori çmimin kryesor.  Ndarjen çmimit e bëri kryetari i Komisionit për Arsim, Kulturë, Rini, Sport, Administratë Publike, Qeverisje Lokale dhe Media,  Idriz Vehapi, i cili drejtua të pranishmëve me një fjalë rasti.

“Do të punojmë në vazhdimësi që temat që i ngrit rinia të avancohen dhe të zhvillohen, në mënyrë që demokracia të jetë më kuptimplote dhe gjithëpërfshirëse, si dhe të mos ketë diskriminim të asnjë shtrese të shoqërisë”, tha mes tjerash Vehapi. 

Në kuadër të shënimit të Ditës Ndërkombëtare të Demokracisë, u mbajt edhe tryeza me temën: Rrjetet sociale – mundësi e komunikimit më të mirë të klasës politike me qytetarë, në të cilën morën pjesë deputetë të Kuvendit, si dhe përfaqësues të shoqërisë civile.

Me këtë rast folën deputetët Ganimete Musliu, Armend Zemaj e Gëzim Kelmendi, të cilët shpalosën përvojat e tyre në rrjetet sociale, si dhe për nevojën e qasjes në rrjete sociale.

U theksua se rrjetet sociale janë një mundësi e mirë edhe për  klasën politike dhe se mënyra e komunikimit e avancon jetën publike në vend edhe përmes rrjeteve sociale.



Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)