Kuvendi ratifikon marrëveshjen me Serbinë
Votimi i mundësua vetëm pasi sigurimi i Kuvendit të Kosovës, detyroi me forcë liderin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurtin dhe disa deputetë të kësaj Lëvizjeje, të largohen nga foltorja e Kuvendit dhe nga vendi ku ulet kryetari i Kuvendit dhe nënkryetarët e këtij institucioni.
Kjo situatë u krijua në kohën kur Kuvendi ndërpreu punimet për shkak të një ndërhyrjeje me forcë të zotit Kurti në mikrofonin e kryetarit të Kuvendit, Jakup Krasniqi, i cili po përpiqej të hidhte në votim ratifikimin e përmbajtjes së marrëveshjes së 19 prillit.
Edhe në fillim të seancës deputetët hasën në pengesa për të hyrë në sallë, për shkak të bllokimit të hyrjeve nga ana e protestuesve të organizuar nga Vetëvendosje. Madje disa prej deputetëve të PDK-së thanë se janë përballur me dhunë fizike nga ana e protestuesve. Kryeparlamentari Jakup Krasniqi tha se sjellja e Vetëvendosjes nuk është demokraci.
Veprimet e sotme për ti penguar deputetët dhe për ti sulmuar ata nuk janë demokraci dhe nuk është veprim që jep shpresë që në këtë vend do të sundojë demokracia edhe po të ishin ata në pushtet. Me këto forma edhe po të vijnë ata në pushtet, pushon demokracia, tha Krasniqi.
Marrëveshjen të cilën e kundërshtoi Vetëvendosje, kryeministri Hashim Thaçi e konsideroi shumë të rëndësishme. Gjatë prezantimit të Projektligjit për ratifikimin e marrëveshjes Thaçi i garantoi deputetët se çdo gjë është në përputhje me kushtetutën teksa shtoi se marrëveshja, e cila tashmë ka filluar së zbatuari, hap rrugën për vendosjen e stabilitetit në veri të Kosovës.
Unë ju garantoj se gjithçka është e aranzhuar në atë mënyrë që të respektohet në plotëni kushtetuta dhe ligjet e Kosovës. Ne jemi të vetëdijshëm se duhet të bëhet edhe më tepër dhe do të bëjmë, por jemi dëshmitarë se marrëveshja ka filluar të zbatohet në terren dhe po i jep rezultatet e veta, tha Thaçi.
Mbështetje marrëveshjes përveç partive të koalicionit, i dhanë edhe Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës. Arben Gashi nga LDK-ja sugjeroi veprime konkrete.
Këmbëngulja në ratifikimin e marrëveshjes edhe në Kuvendin e Serbisë, në mënyrë që palët të konsiderohen partnere në vendimmarrje dhe të kenë pasoja juridike të njëjta. Angazhim maksimal për mospranim të ndryshime të mundshme ligjore në sistemin e Kosovës që krijojnë baza etnike dhe të mos ketë elementë të rrezikimit të sistemit juridik të vendit, tha Gashi.
Ndërkaq Blerim Shala nga AAK-ja tha se marrëveshja synon ta arkivojë historinë e vjetër të veriut të Kosovës që nga viti 1999 e këtej.
Një qind vjet luftë e konflikte të të gjitha llojeve nuk mund të zhbëhen dot për një qind ditë, por një qind ditët e ardhshme sipas të gjitha gjasave, do të jenë vendimtare për fatin e kësaj marrëveshje dhe për procesin e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, tha Shala.
Shefi i Grupit Parlamentar të Vetëvendosje Visar Ymeri, e quajti turp mbështetjen e marrëveshjes.
Është për tju ardhur turp se si po e pranoni këtë gjendje dhe është për tju ardhur turp se si keni kaluar përmbi qytetarët e Kosovës që i tërheq zvarrë policia për të hyrë këtu në Kuvend dhe për ta miratuar këtë marrëveshje që e kthen Kosovën nën Serbi, tha Ymeri.
Thirrjet që marrëveshja mos të ratifikohet nuk munguan as nga deputetët tjerë të Vetëvendosjes, duke thënë veç tjerash se me ratifikimin e saj po minohet rezistenca e Gjermanisë ndaj Serbisë.