Kuvendi, Qeveria dhe komunat kanë zyrtarë që kanë probleme me ligjin
Prishtinë, 9 dhjetor - Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), të premten, në kuadër të Javës Kundër Korrupsion, ka publikuar raportin e titulluar “Qeverisja me duar të pastra”.
Hulumtuesi i IKD-së Ramiz Durmishi, tha se udhëheqja e institucioneve nga persona me dënime apo aktakuza aktive zbeh besimin e publikut. Sipas tij, qeverisja me duar të pastërta rregullisht ishte premtuar nga i gjithë spektri politik, duke shtuar se një gjë e tillë po del të jetë vështirë e realizueshme në vendin tonë.
Ai tutje tha se nga gjetjet e IKD-së në këtë raport rezulton se premtimet e kryeministrit Albin Kurti, se nuk do të ketë ministra me aktakuza nuk qëndrojnë.
“Pra, gjetjet tregojnë se, 9.16% e përfaqësuesve të popullit në Kuvendin e Republikës së Kosovës janë persona të cilët kanë probleme me ligjin. Pra, nga gjithsej 120 deputetë, 11 prej tyre janë persona të cilët kanë aktakuza aktive për vepra të ndryshme, përfshirë ato korruptive”, ka thënë Durmishi.
Tutje Durmishi ka thënë se tre prej deputetëve të cilët kanë probleme me ligjin janë duke ushtruar mandatin e tyre derisa janë duke u akuzuar për veprime korruptive.
“Dy prej këtyre deputetëve, Mimoza Kusuri-Lila dhe Jetmire Vrenezi , janë nga Grupi Parlamentar i LVV, si grupi më i madh parlamentar. Të dy këto raste kanë përfunduar në shkallë të parë, ku znj. Kusari-Lila në shkallë të parë është shpallur e pafajshme derisa znj. Vrenezi në shkallë të parë është dënuar me burgim efektiv”, ka thënë Durmishi.
Durmishi tha se deputetët të cilët IKD i ka identifikuar se kanë probleme me ligjin janë nga tre parti parlamentare, sipas tij, 7 deputet janë nga LVV, 1 nga PDK dhe 2 nga AAK si dhe një deputet pa grup parlamentar.
Tutje, Durmishi ka thënë se me aktakuzë korruptive është duke u përballur edhe deputeti Pal Lekaj, deputet ky nga radhët e Grupit Parlamentar AAK. Në fund, ai tha se edhe shumë deputetë të tjerë kanë probleme me ligjin, të cilat ndërlidhen me vepra të tjera penale.
Sipas tij, përtej kësaj janë tre deputetë të këtij Kuvendit të cilët kanë probleme me ligjin, në kuptim të veprave penale korruptive, duke shtuar se një gjë e tillë do të duhej të konsiderohej si shumë shqetësuese.
Ndërsa, Medina Kadriu hulumtuese në IKD, tha se në Kosovë ende nuk është krijuar kultura qeverisëse për të dhënë dorëheqje zyrtarët publik që kanë probleme me ligjin. Sipas Kadriut, në demokracitë e konsoliduara, sfera publike shërben si mjet kryesor i shoqërisë për të dalluar krimin prej politikës.
Tutje, Kadriu tha se në secilën shoqëri demokratike, zyrtarët e lartë të shtetit, politikanët dhe të gjithë ata që mbajnë përgjegjësi publike, u nënshtrohen normave etike që i përcakton shoqëria. Sipas saj, secili zyrtari që hetohet për krime, publiku i kërkon automatikisht dorëheqjen nga përgjegjësitë publike. Tutje, tha se kodi etik, gjithnjë nën vëzhgimin e publikut, funksionon aq mirë sa që rrallë ndodhë që dorëheqja të kërkohet, zyrtarët që janë nën hetime zakonisht dorëhiqen menjëherë, me t’u bërë publike dyshimet për lidhjet e tyre me krimin.
Kadriu tha se gjetjet e IKD-së, dëshmojnë se nga të gjithë zyrtarët që aktualisht kanë probleme me ligjin, asnjë prej tyre nuk ka dhënë dorëheqje.
Ajo tha se Qeveria e Republikës së Kosovës përbëhet nga gjithsej pesë zyrtarë, të cilët kanë probleme me ligjin, ku sipas saj tre nga këta zyrtarë, përfshirë edhe Kryeministrin, kanë probleme me ligjin për shkak të veprimeve të hedhjes së gazit lotsjellës në Kuvendin e Republikës së Kosovës.
Kadriu shtoi se në këtë qeverisje edhe Ministrja e MINT, Rozeta Hajdari, akuzohet për korrupsion, konkretisht për mosraportim apo raportim të rremë të pasurisë. Sipas Kadriut, Ministrja Hajdari gjatë kësaj kohe do të ushtrojë detyrën e saj publike, pra do të mbajë pozitën e ministres, duke qenë e akuzuar për korrupsion, në kundërshtim me premtimet qeverisëse.
Kadriu ka thënë se në grupin e personave që kanë probleme me ligjin, por se jo për korrupsion, bënë pjesë edhe kreu i Qeverisë, Kryeministri Albin Kurti, i cili është i dënuar për përdorim të armës apo mjetit të rrezikshëm dhe pengim të personit zyrtar gjatë kryerjes së detyrave zyrtare.
E sipas saj për vepra penale në kontekst të hedhjes së gazit lotsjellës në Kuvend, Albulena Haxhiu ka një dënim penal të formës së prerë dhe një aktakuzë aktive. Për vepra penale në këtë kontekst, aktakuzë aktive ka edhe Ministrja Arbërie Nagavci, derisa Ministri Xhelal Sveçla akuzohet për “pjesëmarrja në turmë që kryen vepra penale dhe huliganizmi”.
Në fund Kadriu, ka thënë se tri komuna të Republikës së Kosovës, ajo e Klinës, Podujevës dhe Kamenicës udhëhiqen nga persona që kanë probleme me ligjin. Ajo tha se Komuna e Podujevës udhëhiqet nga Shpejtim Bulliqi, i dënuar me 500 euro për lëndim të lehtë trupor.
“Komuna e Klinës udhëhiqet nga Zenun Elezaj, i cili ka aktakuzë aktive, e cila është duke u shqyrtuar nga Gjykata e Apelit, derisa në shkallë të parë, Elezaj është dënuar me 4 mijë euro gjobë për konflikt interesi. Me aktakuzë aktive është edhe kryetari i Komunës së Kamenicës, Kadri Rahimaj, i cili është i akuzuar për pengim të personit zyrtar në kryerjen e detyrave zyrtare”, ka thënë Kadriu.
Java Kundër Korrupsion organizohet nga Koalicioni i OJQ-ve, ku pjesë e këtij koalicioni janë 6 organizata: Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS), Lëvizja Fol, Iniciativa për Progres, Çohu dhe Colombus.