Kuvendi përkrah operacionin në veri
Prishtinë, 21 tetor - Deputetët e Kuvendit të Kosovës përkrahin operacionin e KFOR-it dhe EULEX-it në veri të vendit për heqjen e barrikadave.
Ndërkohë ligjvënësit kosovar kanë dënuar dhunën e ushtruar ndaj paqeruajtësve të KFOR-it nga ana e serbëve lokalë.
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi lidhur me zhvillimet e fundit në veri të vendi, theksoi se qytetarët serbë të Kosovës që jetojnë në atë pjesë, janë të terrorizuar nga grupet kriminale dhe barrikadat që ato kanë ngritur atje.
Bllokimi i rrugëve nuk ndihmon në procesin e integrimeve evropiane, në të cilat po synojmë të shkojmë të gjithë ne, theksoi kryeparlamentari Krasniqi.
Kryeministri Hashim Thaçi ka deklaruar në Kuvend se veprimi i KFOR-it dhe EULEX-it është në koordinim të plotë me institucionet vendase.
Ai ka theksuar se angazhimet e Qeverisë dhe institucioneve ndërkombëtare do të jenë vazhdimisht në drejtim të rendit dhe ligjit dhe për këtë ai ka shprehur besimin e plotë se do të ketë sukses. Në të njëjtën kohë edhe opozita ka përshëndetur veprimet e KFOR-it dhe EULEX-it.
Por, sipas deputetëve të opozitës situata në veri jep një mesazh për të pafuqisë së institucioneve vendase për kontrollimin e kësaj pjesë të Kosovës.