17 Janar 2025

Kuvendi nuk miraton projektligjin për amnistinë

Prishtinë, 4 korrik - Kuvendi i Kosovës sot nuk e miratoi Projektligjin për amnistinë.

Nga gjithsej 91 deputetë të pranishëm në sallë në momentin e votimit, 70 deputetë ishin për miratimin e projektligjit në leximin e parë, 21 kundër dhe dy deputetë u përmbajtën.

Mosmiratimit i këtij projektligji në lexim të parë, i cili u kundërshtua fuqishëm nga shoqëria civile dhe Lëvizja Vetëvendosje, u përshëndet me duartrokitje nga deputetët e VV-së.

PDK, LDK e AAK i dhanë mbështetje në parim, duke kërkuar ndryshime gjatë shqyrtimit në komisione, ndërsa Vetëvendosje e quajti projektligj që amniston jo vetëm kriminelët në veri, por edhe krimin e organizuar dhe korrupsionin në gjithë Kosovën.

Teksa bëri prezantimin e Projektligjit për amnisti, zëvendëskryeministri, Hajredin Kuçi tha se gjatë hartimit është bërë kujdes i madh që amnistia mos të përfshihet vetëm në balancin etnik.

Ai tha se projektligji nuk ka përfshirë asnjë pjesë që ka të bëjë me lëndime trupore dhe vrasje. Kuçi tha se me këtë projektligj nuk amnistohen as vrasësit e Enver Zymberit e Selver Haradinajt, as nuk përfshihen rastet tjera të cilat kanë ikur nga drejtësia.

“Me këtë ligj që është prezantuar momentalisht do të përfitojnë më pak qytetarë të dënuar sesa kanë përfituar vetëm në një rast nga faljet e presidentëve paraprakë. Mbajeni mend, do të përfitojnë më pak, sesa vetëm në një rast, hiç pjesën që ka të bëjë me rendin kushtetues, me veriun”, tha Kuçi.

Përfaqësuesit e Grupit Parlamentar të PDK-së, LDK-së e AAK-së i dhanë mbështetje në parim këtij projektligji. Behar Selimi nga PDK-ja tha se sa i përket amnistisë do duhej të kishte reciprocitet nga Serbia në kuadër të normalizimit të marrëdhënieve.

Ndërsa Haki Demolli nga LDK-ja teksa shprehu përkrahjen në parim për Projektligjin për amnisti, tha se ka mangësi të theksuara të cilat duhet eliminuar gjatë shqyrtimit në komisione. “Si njëra prej vërejtjeve kryesore që mund t’i bëhet këtij draftligji ëshët numri i madh i veprave penale, për kryesit e të cilave parashihet amnistia”, tha Demolli.

Edhe Ardian Gjini nga AAK-ja shprehu mbështetjen, por kërkoi që të bëhen ndryshime, sidomos fshirjen e amnistisë për krimet ordinere.

“Nëse nuk ndodhin ndryshimet ndërkohë, po ju garantoj se nuk do ta ketë mbështetjen e AAK-së, nëse krimet ordinere nuk do të fshihen nga kjo listë, nëse zyrtarët publikë nuk do të jetë taksativisht e qatrë se nuk do të falen dhe nëse dëmet nuk do të kompensohen, ne e rezervojmë të drejtën në lexim të dytë mos ta votojmë ligjin”, tha Gjini.

Ndërkaq, Albulena Haxhiu nga Vetëvendosje konsideroi se në Kuvend u bën lojëra të ndyra vetëm për të kaluar Projektligji për amnistinë.

“Projektligji për amnisti që na është sjellë në Kuvend përveç që ka për qëllim amnistimin e strukturave kriminale në veri, i njëjti ka për qëllim edhe amnistimin e krimit të organizuar, korrupsionit dhe shkeljeve të tjera që janë bërë në kurriz të mirëqenies sonë”, tha Haxhiu.
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)