Kuvendi nuk merret me mandatin e EULEX-it
Prishtinë, 28 maj - Kuvendi i Kosovës nuk po shpreh gatishmëri që të diskutojë për mandatin dhe veprimet e Misionit për Sundim të Ligjit në Kosovë - EULEX, me gjithë pakënaqësitë që janë shfaqur nga organizatat e dala nga lufta e UÇK-së.
Në veçanti, aktakuza për Grupin e Drenicës, ka rritur kërkesat për rishikim të punës së EULEX-it.
Kjo ka qenë njëra nga kërkesat e protestuesve të cilët të hënën me daljen me rrugë, reaguan ndaj proceseve gjyqësore për ish-ushtarët e luftës.
Megjithatë, kryeparlamentari Jakup Krasniqi, ka thënë se askush deri më sot nuk e ka ngritur në Kuvend çështjen e mandatit të EULEX-it, shkruan Tribuna.
Kuvendi ka procedura dhe rregulla. Çdo kërkesë që vjen për tu diskutuar dhe debatuar ne ia dërgojmë seancës, por për momentin nuk kemi kërkesë për të diskutuar çështjen e punës së EULEX-it, ka thënë Krasniqi.
Pavarësisht kësaj, ai nuk ka lënë pa kritikuar veprimet e këtij misioni që, sipas tij, në asnjë moment nuk po del të jetë neutral.