Kuvendi nuk heq nenet 37 dhe 38
Prishtinë, 22 qershor - Kuvendi i Kosovës nuk ka miratuar heqjen e neneve 37 dhe 38 të Kodit Penal, të cilat kanë të bëjnë me sanksionimin e shpifjes dhe zbulimin e burimit të informacionit, në rastet kur bëhet fjalë për procedime kriminale.
Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, më 8 maj, ka marrë vendim që Kodin Penal tia kthejë Kuvendit të Kosovës për rishqyrtim, duke thënë se Neni 37 dhe Neni 38 i Kodit Penal janë në kundërshtim të plotë me Nenin 40 dhe Nenin 42 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, që rregullojnë lirinë e shprehjes dhe lirinë e mediave, si dhe me Nenin 22.2 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, që obligon përmbushjen e Konventës Evropiane për mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive Themelore të Njeriut dhe Protokollet e saj\".
Andaj, një qëndrim i tillë i presidentes ishte kuptuar si kërkesë për heqjen e këtyre neneve nga Kodi Penal. Po ashtu, edhe Komisioni Funksional kishte propozuar heqjen e këtyre neneve.
Mirëpo, procedura e votimit ka sjellë si rezultat 59 vota për, 4 kundër dhe 5 abstenime.
Kryesuesi i seancës, Sabri Hamiti, tha se kërkesa e presidentes nuk miratohet, pasi që kërkohen 61 vota për.